Dy “skifterë” shqiptarë kapen duke grabitur shtëpinë e princit William, mbretit të ardhshëm të Britanisë së Madhe

Dy shtetas shqiptarë dyshohet se janë personat e arrestuar pas një incidenti në vilën e Princit William dhe Princeshës Kate në Norfolk të Britanisë së Madhe.

Sipas artikullit të The Sun të cilit i referohet Top Channel, ata dyshohet se kanë hyrë në pronën mbretërore Anmer Hall, që ndodhet në kompleksin e Sandringham Estate.

Njëri prej tyre raportohet se ishte emigrant i paligjshëm në Britani, i cili kishte paraqitur më parë një kërkesë për azil, të cilës tashmë i kishte përfunduar afati. Ndërsa për statusin e personit tjetër nuk janë dhënë detaje.

Ngjarja u regjistrua në mbrëmje, të 23 nëntor, kur policia u njoftua për aktivitet të dyshimtë në pronë, rreth orës 18:00.

Në operacionin e kërkimit u angazhuan efektivë policie, dronë dhe një helikopter i Shërbimit Ajror të Policisë Kombëtare britanike.

Dy burrat u arrestuan në territorin e pronës mbretërore, nën dyshimin për vjedhje dhe hyrje të paligjshme. Ata vijojnë të mbahen në paraburgim, ndërsa hetimet për ngjarjen janë në vazhdim.

Policia e Norfolkut konfirmoi se në momentin e incidentit prona ishte e pabanuar. Princ William, Princesha Kate dhe tre fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis, ndodheshin në rezidencën e tyre në Windsor.

Anmer Hall është një rezidencë, e cila iu dhurua çiftit mbretëror nga Mbretëresha Elizabeth II pas martesës së tyre në vitin 2011. Prona përdoret nga familja mbretërore kryesisht gjatë fundjavave dhe pushimeve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu