Greqia po përballet me një mungesë gjithnjë e më të theksuar të fuqisë punëtore dhe problemi që prej vitesh ishte karakteristik kryesisht për sezonin turistik, tani po shtrihet edhe në sektorët e tjerë të ekonomisë. Punëdhënësit po hasin në vështirësi gjithnjë e më të mëdha për të gjetur punonjës, pavarësisht faktit se në vend ka ende persona të papunë.
Në tremujorin e dytë të vitit 2026, numri i vendeve të lira të punës arriti në 46.400, që paraqet një rritje prej 19,4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, siç raporton gazeta greke “Kathimerini”.
Rreth 15.000 vende të lira pune janë regjistruar në sektorin e akomodimit dhe gastronomisë, ndërsa numri i vendeve të paplotësuara në këtë fushë është rritur për më shumë se 10.000 brenda një viti.
Nevoja për punonjës është e theksuar edhe në industri të tjera. 6.100 vende të lira pune janë regjistruar në administratën publike dhe mbrojtje, ndërsa 5.400 të tjera në tregtinë me shumicë dhe pakicë.
Sipas analizës së ekonomistit Janis Holezas nga Qendra Greke për Planifikim dhe Kërkime Ekonomike (KEPE), mungesa e punonjësve nuk është më vetëm një problem sezonal i lidhur me turizmin.
Numri i të punësuarve në Greqi arriti në 4,41 milionë, me një rritje prej vetëm 0,6 për qind në nivel vjetor, krahasuar me 1,4 për qind një vit më parë.
Në të njëjtën kohë, shkalla e papunësisë u ul nga 8,6 në 7,9 për qind, ndërsa numri i të papunëve u zvogëlua për 32.000.










