Ushtria izraelite (IDF) njoftoi sot se ka identifikuar raketa të lëshuara nga Irani, duke aktivizuar alarmet në të gjithë vendin dhe duke udhëzuar popullsinë të strehohet menjëherë.
Zëdhënësi të IDF-së:
“Kemi identifikuar raketa të lëshuara nga Irani drejt Izraelit. Sistemet tona të mbrojtjes ajrore, përfshirë Kupolën e Hekurt, janë në veprim për të neutralizuar kërcënimin. I bëjmë thirrje publikut të qëndrojë në strehimore deri në njoftim të dytë.”
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa detajet e sulmit janë ende të paqarta. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit ka urdhëruar përgjigje të menjëhershme dhe të fuqishme ndaj asaj që e cilësoi si një “shkelje flagrante të armëpushimit” nga Irani, duke kërcënuar me sulme të drejtpërdrejta ndaj objektivave strategjike në zemër të Teheranit.
Ky zhvillim ndodh vetëm disa orë pasi u njoftua për një armëpushim të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Katari, pas gati dhjetë ditësh përplasjesh ushtarake midis Izraelit dhe Iranit. Më herët, Teherani kishte lënë të nënkuptohej se ndalimi i sulmeve do të ndodhte vetëm nëse edhe Izraeli do të respektonte marrëveshjen.
Ndërkohë, Irani nuk ka konfirmuar zyrtarisht lëshimin e raketave, dhe informacionet mbi numrin, llojin apo objektivat mbeten të paqarta. Disa analistë sugjerojnë se mund të bëhet fjalë për një akt të grupeve të lidhura me Iranin, ose një shkelje të kontrolluar të armëpushimit, që rrezikon të destabilizojë situatën e brishtë në rajon.
Në përgjigje të sulmit, Autoriteti i Aeroporteve të Izraelit ka mbyllur sërish hapësirën ajrore të vendit për të dytën herë brenda 24 orëve, duke pezulluar të gjitha fluturimet derisa të qartësohet situata.