“Shkolla me putra”: Ideja gjeniale e një mësueseje në Turqi (FOTO)

Një shkollë në Turqi ku shkollohen 19 nxënës është kthyer në një strehë për rreth 30 mace të adoptuara për të cilat kujdesen fëmijët dhe mësuesja.

Macet janë në klasë, lëvizin lirshëm në korridor dhe luajnë me fëmijët gjatë pushimit.

Alaca, Loya, Gece, Gunes, Uzum, Toshiba dhe Panther janë emrat e disa maceve, me të cilat nxënësit ndajnë klasën në shkollën fillore Adagure.

E vendosur në një zonë rurale në rrethin Beydag të provincës së Izmirit, kjo shkollë kishte një magazinë të zbrazët që tani përdoret si strehë për macet.

Mësuesja Evrim Mutluay, e cila jep mësim prej rreth 16 vitesh, transformoi magazinën në një shtëpi komode për macet si pjesë e projektit të saj “Shkolla me putra”.

Projekti synon të rrisë interesin e nxënësve për të mësuar në mjedisin shkollor.

“Kur erdha këtu, gjëja e parë që pashë te fëmijët ishte një qëndrim negativ ndaj shkollës, pjesërisht për shkak të efektit të pandemisë. Mendova se çfarë mund të bëja për ta”, tha mësuesja.

Ajo shtoi se disa nxënës madje nuk po vinin për të vijuar mësimet.

“Ne e siguruam pjesëmarrjen e tyre në mësim falë lidhjes me macet dhe kështu ata vazhduan të vinin në shkollë”, tha ajo.

Ajo shpjegoi gjithashtu se ky projekt i ndihmon fëmijët në ndërtimin e ndjenjës së përgjegjësisë sepse ata duhet të kujdesen për macet dhe t’i ushqejnë ato.

“Ka një dashuri vërtet të fortë mes maceve dhe fëmijëve. Me fjalë të tjera, fëmijët që nuk donin të shkonin në shkollë filluan të vizitonin strehën edhe në fundjavë filluan të kujdeseshin për macet dhe të pastronin strehën e tyre. Ata zhvilluan një qëndrim pozitiv ndaj shkollës”, tha Evrim Mutluay.

Ajo përdor praktika të ndryshme arsimore dhe ka kontribuar në mjediset e shkollës.

Kështu, i kushton kohën më të madhe organizimit të aktiviteteve për zhvillimin personal dhe social të nxënësve. Dashuria për natyrën dhe kafshët është ajo ku ai fokusohet më shumë.

“Një fëmijë që e do natyrën dhe kafshët nuk do lëndojë kurrë askënd”, thotë ajo.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu