Shoferi i kamionit nga Maqedonia humb jetën në Kroaci (VIDEO)

Një aksident i rëndë komunikacioni me pasoja fatale ka ndodhur dje në autostradën A3 pranë vendit Sredanac, në drejtim të Breganës, ku është përfshirë një kamion i cili pas daljes nga rruga është djegur plotësisht, me ç’rast ka humbur jetën shoferi i cili mbeti i bllokuar në kabinë, përcjell INA.

Sipas informacioneve nga Drejtoria Policore Brod-Posavina, aksidenti është denoncuar në orën 14:15 në zonën e komunës Donji Andrijevci, ku u vërtetua se shoferi deri tani i panjohur po drejtonte kamionin në korsinë jugore, pas së cilës ka dalë nga rruga në anën veriore, ndërsa policia njoftoi se në vendngjarje janë gjetur targa të Republikës së Maqedonisë. Hetimi tregoi se kamioni fillimisht ka depërtuar rrethojën mbrojtëse qendrore, ka goditur një shtyllë të ndriçimit rrugor dhe ka kaluar në korsinë e kundërt, ku pas rrëshqitjes automjeti ka goditur sërish rrethojën mbrojtëse dhe një shtyllë tjetër, pas së cilës ka shpërthyer zjarri.

Kamioni u gllabërua plotësisht nga flakët së bashku me shoferin, ndërsa në terren kanë ndërhyrë njësitet zjarrfikëse dhe ekipet e HEP-it për shkak të rrjetit elektrik të dëmtuar dhe largpërçuesve të rënë. Për shkak të seriozitetit të aksidentit, trafiku në këtë pjesë të autostradës ishte në ndërprerje për disa orë ose u zhvillua nën regjim të posaçëm derisa zgjati këqyrja policore dhe sanimi i dëmeve, ndërkohë që policia kroate vazhdon aktivitetet për vërtetimin e identitetit të të ndjerit dhe të gjitha rrethanave që çuan në këtë tragjedi të rëndë.(INA)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu