Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KShPK), me qëllim informimin në kohë dhe në mënyrë transparente të institucioneve shtetërore, partive politike, pjesëmarrësve në procesin zgjedhor dhe opinionit publik, ka bërë të ditura ndalimet dhe kufizimet që vlejnë nga dita e shpalljes së zgjedhjeve lokale 2025 në Maqedoninë e Veriut, deri në përfundimin dhe konstituimin e këshillave komunalë dhe të Këshillit të Qytetit të Shkupit.
Ndalimet kryesore për periudhën zgjedhore janë:
1. Investime dhe pagesa të reja – Ndalohet nisja e projekteve të reja infrastrukturore me fonde publike ose kapital shtetëror, pagesa të jashtëzakonshme nga buxheti, nënshkrimi i marrëveshjeve kolektive, si dhe punësime të reja, përveç rasteve urgjente.
2. Financim i paligjshëm i fushatës – Partitë politike dhe kandidatët nuk lejohet të pranojnë ose përdorin mjete nga burime të paligjshme apo anonime.
3. Abuzim me pronë dhe mjete publike – Ndalohet përdorimi i pasurive shtetërore, fondeve buxhetore, mjeteve të ndërmarrjeve publike apo institucioneve me kapital shtetëror për qëllime të fushatës zgjedhore.
4. Blerja e votës – Ndalohet dhënia ose premtimi i dhuratave, përfitimeve apo favoreve me qëllim ndikimin te votuesit.
5. Aktivitete të ndaluara 20 ditë para fushatës – Përfshihet ndalimi i organizimit të ceremonive për nisjen ose inaugurimin e projekteve publike, përveç deklaratave mediatike; publikimi i të gjitha shpenzimeve buxhetore nga Ministria e Financave; ndalimi i përdorimit të zyrave, pajisjeve dhe automjeteve zyrtare për qëllime zgjedhore; si dhe ndalimi i presioneve apo frikësimeve ndaj votuesve.
KShPK thekson se do të monitorojë të gjithë procesin zgjedhor dhe në rast të dyshimeve për shkelje të ligjit, do të kërkojë ndërmarrjen e masave nga organet kompetente. Po ashtu, komisioni u bën thirrje mediave, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve të raportojnë në kohë çdo rast të shkeljes së këtyre ndalimeve.
Ky regjim i veçantë i kufizimeve zbatohet deri në përfundimin e zgjedhjeve dhe konstituimin e organeve të reja të pushtetit lokal.