Shpërthen konflikti mes Ramës dhe ministrave teknikë, Gazmend Bardhi bllokon dorëheqjet e krerëve të hipotekave, kryeministri i rrëzon vendimin

Ashpërsohen përplasjet e Ramës me ministrat teknikë të PD, të cilët vazhdojnë të hedhin poshtë çdo vendim që kreu i qeverisë merr. Fill pas një muaji kur teknikët hodhën poshtë vendimin e kryeministrit për shkarkimin e zv/ministrit të Brendshëm, Ilir Marko, kësaj here ka qenë ministri teknik i Drejtësisë, Gazment Bardhi, ai që ka sfiduar kryeministrin. Bardhi, gjatë ditës së djeshme në një deklaratë për mediat, ka vendosur të pezullojë të gjitha kërkesat e dorëheqjeve të krerëve të hipotekave në rrethe.

Gjatë deklaratës në media u theksua se ultimatumi i Ramës për të dhënë dorëheqjen drejtorët e hipotekave, bie ndesh me të drejtat themelore të njeriut dhe se do të ketë një hetim administrativ nëqoftëse ka shkelje. “Duke vlerësuar se dorëheqjet vijnë në vijim të konstatimit publik të Kryeministrit të Shqipërisë, se këta funksionarë publikë kanë shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e qytetarëve, duke konsumuar një tallje kolektive dhe individuale me njerëzit, Ministri i Drejtësisë ka marrë një vendim të ndërmjetëm, për pezullimin e procedurave të miratimit të dorëheqjes së tyre, deri në përfundimin e një hetimi të plotë administrativ mbi veprimtarinë e këtyre funksionarëve publikë”, thuhej në deklaratën e ministrisë.

Më tej deklarohej se ministri ka shprehur vendosmërinë se pas përfundimit të hetimit administrativ në qoftë se janë spikatur shkelje, atëherë këta zyrtarë do përgjigjen para organeve kompetente . “Zyrtarët publikë që cenojnë interesin e qytetarëve shqiptarë, apo që kryejnë shkelje të ligjit dhe të drejtave të qytetarëve, deri në nivelin e talljes kolektive me to, nuk mund të largohen me akt dinjiteti, pra me dorëheqje.

Largimi i tyre nga detyra, duhet të jetë një përpjekje e autoriteteve përgjegjëse për të zhdëmtuar cenimin e dinjitetit të qytetarëve, duke i larguar këta zyrtarë me masë disiplinore “shkarkim nga detyra”, apo duke përcjellë informacionin për shkeljet e tyre në organet kompetente”, thuhej në deklaratë.

Rama i kundërpërgjigjet Bardhit

Por urdhri i Bardhit ka hasur vështirësi. Pak minuta pas publikimit të tij ka reaguar me urgjencë kryeministri, i cili anuloi urdhrin, me argumentin se dorëheqjet nuk mund të refuzohen dhe hetimi administrativ i ministrit mund të vazhdojë pa asnjë pengesë. Më tej në njoftimin për shtyp, kryeministri i kujtoi ministrit Bardhi dhe gjithë ministrave të tjerë teknik se, asnjë ministër nuk hedh poshtë vendimin e kryeministrit. “Qeveria shqiptare ka një Kod Sjelljeje, të miratuar me VKM, qysh në mbledhjen e saj të parë dhe asnjë ministër, qoftë politik a teknik, qoftë në ikje a në ndenje, nuk mund ta shkelë këtë Kod, i cili përcakton qartë se qeveria nuk është një grup individësh që veprojnë në kokën e tyre”, mbyllej njoftimi. Pra, situata e djeshme dëshmoi qartë se nuk ka qetësi në qeverinë shqiptare, por pavarësisht kësaj, teknikët vijojnë ende të jenë në detyrë. Rama nuk i ka dot 71 vota për shkrimin e tyre dhe po pret betimin e deputetëve të rinj. Ndërkohë teknikët vijojnë të mbajnë poste duke sjellë pengesa në punët e qeverisë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu