Shpërthen sherri në Lëvizjen BESA, prapë me kacafytje dhe akuza

Lëvizja BESA, krahu i Bilall Kasamit sot ka publikuar vendimin e Gjykatës Themelore Shkupi 2, ku vërtetohet se kërkesa e krahut të Shkupit për ta shkarkuar Bilall Kasamin është jo ligjore dhe jo statusore.

Abdush Demiri nga kjo parti ka pohuar se me këtë vendim tanimë të gjitha spekulimet se të njëjtit kanë shumicën bie poshtë, raporton Medial.mk.

“Pas një periudhe të vështirë që kaloi Lëvizja BESA kur një grup i vogël i pakënaqur shprehën dëshirë që përmes formave jo statusore dhe jo demokratike ta shkarkojnë kryetarin e Lëvizjes BESA Bilall Kasami, duke e manipuluar opinionin se kanë shumicën e anëtarëve të Këshillit qendror të partisë, tanimë kjo dilemë është pastruar. U pastrua sepse ky grup më këtë kërkesë u dëshmua se as nuk kishin shumicën, po as metodat e tyre nuk kanë qenë konform normave statusore“, tha Abdush Demiri në pres konferencën e sotme për gazetarë.

Demiri u bëri thirrje anëtarëve të Lëvizjes BESA që t’u kyçen strukturave legale të partisë, dhe mos të vazhdojnë të manipulohen nga personat të cilët nuk ia duan të mirën këtij subjekti politik.

Porështë kundërpërgjigjur Daim Luçi nga grupi tjetër.

“Sot Gjykata Themelore në Shkup u deklarua se kontesti i ngritur në gjykatë për ta fituar legalitetin e Lëvizjes do të zgjidhet pas kongresit të Lëvizjes. Për këtë arsye jemi këtu që t’ia shpjegojmë opinionit se, pavarësisht se dikush sot e ngriti flamurin e fitores, ne jemi këtu që të përkujtojmë se kontesti nuk ka përfunduar. Në të vërtetë, Gjykata nuk e ka kontestuar vendimin e shumicës, por e ka kontestuar procedurën e dorëzimit të dokumentacionit, andaj ka vendosur që vendimin përfundimtar ta marrë vetëm pasi që BESA ta kalojë kongresin.

Duke e pasur parasysh se shumica absolute e themeluesve të parë të Besës tashmë janë deklaruar se janë për shkarkimin e tashmë ish kryetarit, si dhe duke e pasur parasysh se ata – përsëri si shumicë – do të jenë edhe në Kuvendin Qendror të Lëvizjes BESA, tashmë gjithçka është e qartë: në kongres, përveç legjitimitetit, edhe legaliteti do t’i takojë shumicës absolute të Lëvizjes BESA.

Me këtë rast dëshirojmë të shpjegojmë për opinionin se BESA nuk është vulë, por është ide, është projekt politik. Ndërsa idenë e projektit të BESËS mund ta bartin vetëm ata që e kanë skicuar dhe ideuar atë. Të tjerët, që luftojnë për vula, në fund mund ta vulosin edhe turpin e tyre”, ka theksuar Luçi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu