Të dielën, rrugët e Barcelonës u mbushën me protestues që u bërtisnin turistëve: “Shkoni në shtëpi!”
Çifte të habitura që pinin kafen në trotuar u lagën me pistoleta uji, ndërsa një dyqan luksoz u mbulua me ngjitëse që i quanin turistët të padëshiruar.
Barcelona, një nga destinacionet më të vizituara në Evropë, po përballet me një ‘boom’ turistik që ka çuar në protesta masive. Banorët ndihen të përzënë nga qyteti i tyre për shkak të rritjes marramendëse të qirave dhe mbipopullimit.
“Ne nuk mund të jetojmë më këtu,” thotë Marina, një protestuese me pankartën: “Airbnb-ja jote ishte dikur shtëpia ime.” Ajo, si shumë të tjerë, kërkon ndalimin e anijeve turistike gjigante dhe një kufizim të fluksit vizitor.
Me më shumë se 15 milionë turistë në vit, në një qytet me vetëm 1.6 milion banorë, presioni është i madh.
“Ne nuk jemi kundër turistëve, por kundër mënyrës si po menaxhohet kjo,” shton Elena, një biologe e re. “As kafen nuk e përballojmë dot më.”
Në lagjen Gotike, Joan Alvarez refuzon të largohet nga banesa ku jeton prej 25 vitesh, ndonëse pronari i ka ndërprerë kontratën. “Nuk është thjesht çështje parash, por parimi. Ky është qyteti im,” thotë ai.
Si pasojë e presionit publik, autoritetet vendosën që nga viti 2028 të ndalojnë të gjitha qiratë afatshkurtra për turistët, duke hequr 10 mijë licenca.
Por jo të gjithë janë dakord. Jesus Pereda, një pronar i dy apartamenteve turistike, thotë se është gabim. “Ne jemi bërë kokë turku. Nuk jemi ne fajtorët,” thekson ai, duke shtuar se nuk do t’i japë apartamentet me qira të zakonshme, për shkak të kufizimeve të çmimeve. “Nëse më heqin licencën, do t’i shes.”
Turizmi përbën 15% të PBB-së së Spanjës, por për shumë banorë të Barcelonës, kostoja e këtij suksesi është bërë e padurueshme.