Shqipëria në pritje të ciklonit të fuqishëm, do ndikojë edhe në motin në Kosovë

“Cikloni amë” gjendet mes Britanisë së Madhe dhe Skandinavisë, ndërsa cikloni sekondar është krijuar në Italinë veriore dhe është mjaft i fuqishëm. Ky ciklon ka shkaktuar përkeqësim të motit në Evropë duke sjellur reshje dhe stuhi shiu, kurse në Alpe kanë filluar reshje intensive bore.

Gjatë natës në Shqipëri pritet ulja e presionit atmosferik dhe kjo do të shënojë ardhjen e masave të fuqishme ajrore ciklonike. Priten stuhi intensive shiu me vetëtima dhe bubullimë, erëra të fuqishme veçanërisht në veri të vendit dhe në viset kodrinore-malore, por edhe në shumë pjesë tjera të Republikës së Shqipërisë.

Vlen të theksohet se në veri të vendit erërat në disa momente mund të arrijnë shpejtësinë maksimale mbi 100km/h.

Erëra herë pas here të fuqishme priten edhe në zona tjera të Shqipërisë veçanërisht në kohën e shtrëngatave me shi. Rrebeshet e fuqishme të shiut do të fillojnë në veri dhe veriperëndim të vendit dhe gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit do të zgjerohen në pjesët tjera të Shqipërisë. Priten rrebeshe intensive shiu, erëra të fuqishme dhe vetëtima dhe bubullima masive.

Cikloni do të ndikojë edhe në motin në Kosovë duke sjellur reshje të herëpashershme lokale shiu, por shumë më pak se në Shqipëri, megjithatë në disa vise edhe në Kosovë priten reshje intensive. Po ashtu edhe erërat në disa vise në Kosovë pritet të jenë të fuqishme si në veri, veriperëndim dhe perëndim të vendit, lokalisht edhe në vise tjera. Reshje intensive shiu sonte priten edhe në Mal të Zi dhe Maqedoninë Veriore.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu