Shqipëria po kthehet në një azil të madh, popullsia mbi 65 vjeç

Shqipëria po përballet me një përshpejtim të fortë të plakjes së popullsisë, duke u renditur e para në Europë për rritjen e raportit të të moshuarve mbi 65 vjeç ndaj popullsisë në moshë pune (15–64 vjeç) gjatë periudhës 2015–2025, sipas të dhënave të Eurostat. Në vitin 2015, kjo grup-moshë përbënte 18.2% të forcës së punës, ndërsa në vitin 2025 arriti në 33.3%, një rritje drastike prej 15.1 pikë përqindjeje brenda një dekade niveli më i lartë i regjistruar në kontinent për këtë periudhë.

Në krahasim me vendet e tjera, Moldavia shënoi një rritje prej 14.1 pikë përqindjeje, ndërsa Maqedonia e Veriut 10.7 pikë përqindjeje, duke mbetur pas Shqipërisë në ritmin e plakjes demografike. Ndërkohë, mosha mediane në Shqipëri u rrit nga 34.7 vjeç në vitin 2015 në 44.3 vjeç në vitin 2025, një rritje prej 9.6 vitesh shumë më e lartë se mesatarja europiane prej 2.1 vitesh për të njëjtën periudhë.

Ekspertët e lidhin këtë transformim të shpejtë me emigrimin masiv të të rinjve dhe rënien e vazhdueshme të lindshmërisë. Ndryshe nga vende si Suedia dhe Luksemburgu, ku plakja e popullsisë ka qenë graduale dhe e menaxhueshme, Shqipëria po përballet me një krizë demografike të thellë brenda një kohe shumë të shkurtër, duke hyrë në të njëjtin nivel plakjeje me vendet më të vjetra të Europës, por me kapacitete shumë më të kufizuara ekonomike për ta përballuar këtë realitet.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu