Komunat serbe afër kufirit me Kosovën po zbrazen nga dita në ditë. Çmimi i shtëpive me gjithë pronat arrin më së shumti në 10 mijë euro.
Më e prekur mbetet komuna e Kurshumlisë, që gjendet bri kufirit me Kosovën.
Kryetari i kësaj komune, Dragolub Vidiç citohet të ketë thënë për mediat serbe se edhe përkundër këtij çmimi të lirë, pothuajse mungojnë blerësit.
Shumica e fshatrave përbëhen nga të moshuar që po vdesin, ndërkohë që të rinjtë po largohen jo vetëm nga fshatrat, por edhe nga qendra administrative.
Një gjendje e njëjtë thuhet se ekziston edhe në në Pirot, pranë kufirit me Bullgarinë, ku një shtëpi e vjetër me gjithë oborr kushton 1 mijë euro.
Banorë të fshatit Dumnicë të komunës së Besianës kanë thënë për portalin Konica.al se janë të shumtë shqiptarët që po blejnë prona në territorin serb, kryesisht patundëshmëri, toka dhe kullosa.
Nga vëzhgime të dorës së parë, portali Konica.al ka vërejtur se një numër personash, kryesisht shqiptarë të zonës, kalojnë pa problem kufirin dhe prejnë pyjet e Kurshumlisë, ku lënda drusore më pas shitet në Kosovë.
Përndryshe, Kurshumlia dhe rrethina e saj në shekullin e nëntëmbëdhjetë ka qenë e banuar kryesisht me shqiptarë.
Kjo trevë e Sanxhakut të Nishit u pushtua në vitin 1878 nga ushtria serbe, duke e spastruar etnikisht nga popullata rrënjëse e cila u shprëngul më në thellësi të Kosovës.










