Tani e 8 muaj që thanë se u bënë një parti, por VLEN-i ende s’e ka formalizuar këtë gjë! Kanë formuar një kryesi të përbashkët, por akoma nuk kanë arritur të zgjedhin një kryetar. Ky proces me sa duket do të mbetet pas festave, pasi askush nga VLEN nuk kanë paralajmëruar kohën se kur do të bëhet konsolidimi i plotë. Njëri nga anëtarët e kryesisë së VLEN-it, Fatmir Limani tha se sa më shpejtë të formohen juridikisht organet e partisë VLEN, aq më shpejtë do të merr formë partia.
“Sa më shpejtë aq më mirë edhe për VLEN-in edhe për mbarëvajtjen e gjithë proceseve politike dhe për pritshmëritë që kanë e gjithë popullata, e cila sy e vesh i kanë nga ne. Mendoj se të gjithë e dinë se kush mund të jetë përfaqësuesi më i mirë i shqiptarëve, në kuadër të kësaj përbërje, e cila quhet VLEN. Këtë duhet t’ua lejmë organeve partiake dhe strukturës që përbën subjektin e VLEN-it siç janë LD, ASH, Besës, Alternativës dhe në fund të presim të realizohet pritshmëria e popullsisë. Me shpresë të madhe dhe bindje të thellë të fokusohemi te përzgjedhja e asaj që gjithë e presim të përfaqësohemi nga një lider i dinjitetëshëm, i cili orientim të vetëm do të ketë Unionin Evropian”, tha Fatmir Limani, VLEN.
Me të dal ASH-ja e Taravarit nga VLEN nga fundi i prillit, tre liderët Mexhiti, Ibrahimi e Kasami dhe pjesë e ASH-së e prirë nga Arben Fetai dolën me idenë në formimin e një partie, por juridikisht kjo akoma nuk është bërë. Burime të brendshme partiake tregojnë se disa e mbështesin modelin e vendimmarrjes me konsensus.
Burim nga VLEN:
Për katër vite të ketë katër kryetarë me rotacion çdo vit nga një parti. Sipas modelit të qeverisjes zvicerane vendimmarrja të jetë e përbashkët me konsensus prej 4 krerëve, ndërsa kryetari të ketë statusin simbolik, ndërkohë të tjerët të jenë nënkryetarë dhe sekretar gjeneral. Kështu do të jetë pushteti partiak i balancuar dhe të gjithë do të kenë fuqi të barabartë brenda subjektit të VLEN-it.
Jo zyrtarisht mësohet se mosmarrëveshja ndërmjet kryesisë së partisë është në mes të ndarjes në dy fronte nga krahu i Izet Mexhitit dhe krahu i Bilall Kasamit. Për të amortizuar një përçarje brendapartiake pritet që pas festave të fund vitit të propozohet një model konsesual, ku përveç kreut të LD-së dhe Besës që me vota në zgjedhjet lokale kanë dal me nga 40%, fuqinë e njëjtë vendimmarrëse do ta kenë edhe kryetari i Ri i Alternativës Bekim Sali, parti e cila në lokale mori 15% dhe kreu i degës së ASH-së Arben Fetai, prej të cilëve kandidatët për kryetarë komunash dhe këshilltarë komunal morën 5% të votave.










