Shumica parlamentare afër sigurimit të Badenterit, cilët deputetë janë në lojë

Shumica parlamentare VMRO-DPMNE dhe VLEN janë një hap më afër sigurimit të shumicës së Badenterit, pasi deputeti Ilir Demiri, deri tani pjesë e grupit parlamentar të Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI, zyrtarisht e informoi kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, se do të veprojë si i pavarur, shkruan e përditshmja “Veçer”.

Po ashtu siç thuhet “dalja e Demirit nga Aleanca për Shqiptarët(ASH), e cila paraprakisht vendosi të veprojë e vetme, si dhe nga grupi i Frontit Evropian, i ripozicionoi raportet parlamentare dhe e intensifikoi dinamikën për formimin e shumicës së re.”

Demiri, ish-ministër i Shëndetësisë dhe infektolog, me këtë veprim e afron shumicën parlamentare më pranë numrit prej 20 deputetësh nga komunitetet jo-shumicë, sa kërkohen për shumicën e Badenterit.

Sipas burimeve nga shumica për gazetën “Veçer”, tashmë llogaritet në mbështetjen e liderit të PDSH-së, Menduh Thaçi, dhe deputetit të Partisë Demokratike të Turqve, Bejxhan Iljaz, ndërsa në fazë finale janë bisedimet edhe me Sali Muratin nga Lëvizja e Turqve. Nëse përfshihen këta katër deputetë, shumicës do t’i mungonin edhe vetëm dy deputetë jo-shumicë për të arritur kuotën prej 20.

Paralelisht, partnerët e koalicionit “VLEN” zhvillojnë bisedime për plotësimin e vendeve të lëna bosh pas zgjedhjes së Izet Mexhitit kryetar i Komunës së Çairit – postit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mjedisit Jetësor.

Nga “VLEN” kërkojnë që Bekim Sali të jetë zëvendëskryeministër i parë, ndërsa si kandidatë për ministër të Mjedisit përmenden Muhamed Hoxha.

Kryeministri Hristijan Mickoski, megjithatë, insiston që zëvendëskryeministri i ri nga radhët e “VLEN” të ketë edhe një resor shtesë, sipas modelit të deritanishëm.

Shumica e Badenterit vlerësohet si kusht kyç për miratimin e reformave në drejtësi dhe ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për vetëqeverisje lokale, si dhe për ligjet sistemike për organizimin e administratës shtetërore. Pa mbështetjen e të paktën 20 deputetëve nga komunitetet jo-shumicë nga 39 sa janë, këto paketa reformuese mbeten të bllokuara./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu