BDI, LSDM, Aleanca për Shqiptarët, dhe Lëvizja Besa, janë dakorduar që Talat Xhaferi të jetë kandidat i shumicës për postin, kryetar i kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Këtë e konfirmoi edhe zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
“Pas analizave të brendshme, por edhe pas konsultimeve me partitë tjera politike, është vendosur që kandidat i BDI-së, por edhe i shumicës së re parlamentare për kryetar të kuvendit të jetë Talat Xhaferi”, tha Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së.
Nga VMRO DPMNE thonë se do të përmbahen nga komentet, deri sa kandidatura e Xhaferit të bëhet zyrtare. Por vet Talat Xhaferi, në emisionin Click Plus, deklaroi se asnjë prej partive maqedonase nuk kanë problem që kryetari i kuvendit të jetë shqiptar.
“Unë besoj, së paku nga të gjitha deklarimet publike që janë bërë edhe nga LSDM edhe nga VMRO… Ka pas pajtim të përgjithshëm që kushdo që të jetë pretendent për qeverinë e ardhshme me 1 gjë paraprakisht është pajtua, që bartës i funksionit parlament të jetë shqiptar. Domethënë, të dy subjekte pretedent për mandat janë pajtuar që të jenë nga subjektet shqiptare”, u shpreh Talat Xhaferi, BDI.
Talat Xhaferi fitoi dy mandate deri më tani si deputet në kuvendin e Republikës së Maqedonisë, por asnjërin prej mandateve nuk arriti ta përfundoj. Në vitin 2008 u ul për herë të parë në kuvend, por mandati i tij zgjati vetëm 3 vjet, për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Në vitin 2014 sërish fitoi mandatin që të jetë deputet, por sërish mandati i tij zgjati vetëm dy vjet.
Xhaferi u lind më 15 prill të vitit 1962, ku edhe kreu shkollën fillore. Shkollën e mesme e kreu në Akademinë Ushtarake të Beogradit. Pas përfundimit të studimeve, Xhaferi ishte oficer në ushtrinë jugosllave. Pas pavarësisë së Maqedonisë, karrierën e tij ushtarake e vazhdoj edhe në shtetin e ri, por deri në vitin 2001, kur vendosi që ti bashkëngjitët Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Emri i Talat Xhaferit ishte shumë i përfolur në opinion në vitin 2008, kur partnerët e koalicionit, BDI dhe VMRO DPMNE, vendosen që ta votojnë si Ministër të Mbrojtjes. Atë kohë, kundër këtij vendimi ishte pikërisht LSDM-ja.
Dje nga deputetet e VMRO DPMNE-së në kuvend u soll edhe një vendim nga ato më të turpshmit për Republikën e Maqedonisë. Mbrëmë, me urdhër të Gruevskit, dhe me pajtimin e deputeteve të regjimit, si ministër i mbrojtjes u zgjodh Talat Xhaferi. Nuk do të ishte asgjë e keqe nëse nuk do ta dinim të kaluarën e Talatit. Nëse nuk e dinim se po i njëjti ai në mesin e popullit është i njohur si komandant i UÇK-së, me nofkën “Forina”, tha Dime Vitanov, LSDM Negotinë.
Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për të hënën, kurse ende nuk është bërë e ditur se a do të jetë në rend të ditës edhe zgjedhja e kryetarit të ri të kuvendit.










