Si është përfshirë Vulin në aferën e spiunazhit dhe gjyqin që rusët po përgatitin kundër Zelenskyt

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, gjatë një vizite të fundit në Moskë, ka biseduar me Sekretarin për Sigurinë Kombëtare të Rusisë, Mykola Patrushev, për agjentin e arratisur të inteligjencës ukrainase, Andriy Naumov, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në Serbi.

Ai pritet të transferohet në Moskë për të dëshmuar në një gjyq të organizuar, i cili do të zhvillohej në Rusi kundër presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Këtë njohuri e kanë konfirmuar për të përditshmen nova.rs burime të afërta me opozitën ruse, ndërsa janë raportuar edhe nga disa media ruse, përfshirë Insajderin.

Andriy Naumov ishte kreu i Drejtorisë së Sigurisë së Brendshme të SBU në Ukrainë dhe u largua nga vendi pak para pushtimit rus. Ai u arrestua në Serbi më 7 qershor dhe aktualisht ndodhet në paraburgim në Nish.

Ai po gjykohet në Ukrainë nën dyshimin për tradhti të lartë dhe në të njëjtën kohë për të është e interesuar edhe Rusia, e cila planifikon ta përdorë në procesin që do të zhvillohej në atë vend kundër Zelenskyt.

Përkatësisht, shqetësimi i Moskës është se Naumov do të jetë një nga dëshmitarët kryesorë që do të flasë në gjykatë kundër presidentit ukrainas në pjesën e aktakuzës që ka të bëjë me krimet e luftës të kryera kundër popullatës ruse në Ukrainë.

Në këtë punë Rusia pret ndihmën e ministrit të Brendshëm serb Aleksandar Vulin, i cili vizitoi Moskën javën e kaluar dhe u takua me Nikolai Patrushev, sekretarin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Tema e bisedës së tyre ishte Naumovi i lartpërmendur dhe mundësia që Serbia ta transferojë atë në Rusi, ku ai duhet të marrë azil.

“Pas dërgimit të ish gjeneralit të arratisur ukrainas të dyshuar për tradhti, ministri i Brendshëm Vulin mund të transferohet vetë në Moskë, duke pasur parasysh se ai është në pritje të emërimit në postin e ambasadorit serb në Rusi”, shkruan Insajderi rus.

Pas arratisjes së tij nga Ukraina, Naumov humbi gradën e tij të gjeneralit, pasi Zelensky e gradoi atë më 31 mars 2022 “për shkak të anti-heroizmit”.

Duke pasur parasysh se ai ishte shef i Departamentit Kryesor të Sigurisë së Brendshme të SBU dhe se më parë kishte qenë drejtues i ndërmarrjes shtetërore “Qendra për Mbështetjen Organizative-Teknike dhe Informative për Menaxhimin e Zonës së Përjashtimit”, me vendndodhje në Çernobilit, Naumov pati mundësinë të mbledhë të dhëna për sistemet e sigurisë së centraleve bërthamore, të cilat janë sekret shtetëror.

Në përgjigjen zyrtare të Byrosë Hetimore Shtetërore të Ukrainës për hetimet e shtypit në lidhje me Naumovin, thuhet se po kryen një “hetim para-penal për faktin e tradhtisë së mundshme të një shtetasi të Ukrainës, në pozicionin e kreut të ndërmarrje shtetërore që siguron funksionimin e zonës së përjashtimit të Çernobilit dhe më pas në një pozicion të lartë në Shërbimin e Sigurisë të Ukrainës”.

Përfaqësuesit e shërbimeve ukrainase besojnë se ishte Andrey Naumov, ai që ishte në gjendje të përcillte informacion konfidencial tek shërbimet speciale ruse, të cilat më vonë i mundësuan ushtrisë ruse të kapte shpejt territorin e Zonës së Përjashtimit të Çernobilit.

Dënimi i parashikuar me burg për tradhti të lartë, sipas ligjeve të Ukrainës, është nga 12 deri në 15 vjet, me ose pa konfiskim të pasurisë.

Ndryshe, Naumov u arrestua më 7 qershor në pikën kufitare të Preshevës, teksa po përpiqej të kalonte në Maqedoninë e Veriut. Me Naumovin ishte shtetasi gjerman Alexander Akst, i cili ishte drejtuesi i veturës. Shkak i arrestimit të dy të huajve është bërë se në veturë u gjet një sasi e madhe parash, euro dhe dollarë amerikanë, si dhe dy smeraldë.

Në ndërkohë, Naumovit iu ofrua ndihma konsullore nga Ukraina, të cilën ai e refuzoi dhe sipas mediave ruse, ai është i gatshëm të paguajë një shumë të madhe parash për të marrë garanci sigurie dhe liri në Serbi, e cila e akuzon për pastrim parash. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu