Josep Borell sa kishte qenë ministër i Punëve të Jashtme të Spanjës kishte theksuar kundërshtimin e tij për idenë e korrigjimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë pas uljes në karrigen e italianes Federica Mogherini në cilësinë e Përfaqësuesit të Lartë të BE’së, Borell ka ndryshuar fjalët.
Ai tashmë thotë se u takon Kosovës dhe Serbisë të vendosin nëse duan korrigjim kufijsh apo shkëmbim territoresh dhe se Brukseli s’mund t’iu tregojë palëve se për çfarë duhet të bien dakord e për çfarë jo.
Në një takim informal në Vjenë të Austrisë në gushtin e vitit 2018 kur po vlonte debati për ndryshim kufijsh, Josep Borell, në cilësinë e kryediplomatit spanjoll, kishte treguar kundërshtimin e tij për një ide të tillë.
Borell në një konferencë për media pas atij takimi kishte thënë se brenda BE’së ka një refuzim të fortë ndaj idesë për korrigjim të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.










