Si mund të ndihmojë Evropa stabilizimin e Lindjes së Mesme

Siç e dëshmoi edhe një herë lufta e fundit në Gaza, Lindja e Mesme vazhdon që të jetë arenë e një serie konfliktesh në dukje të pazgjidhshme, nga Saharaja Perëndimore në Jemen, dhe nga Libianë Palestinës. Gjatë viteve të fundit, konfliktet janë intensifikuar në të gjithë rajonin.

Vetë gjeopolitika e rajonit ka krijuar një përçarje akoma më të thellë midis shteteve që janë më miqësore ndaj Islamit politik, si Turqia dhe Katari, dhe atyre që janë thellësisht kundër kësaj ideologjie, duke përfshirë Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Këto linja konflikt janë shtrirë gradualisht në Afrikën e Veriut dhe Mesdheun Lindor. Por disa vende kanë nisur të ndryshojnë qasje. Bisedimet e reja midis Iranit dhe Arabisë Saudite tregojnë një ndryshim në favor të dialogut, ashtu siç janë edhe sinjalet pajtuese midis Turqisë dhe rivalëve të saj.

Ky ndryshim duket se është nxitur nga një ndjenjë e lodhjes kolektive pas dështimit të politikave konfrontuese të ndjekura nga secila palë gjatë dekadës së kaluar, si dhe presioneve ekonomike të shkaktuara nga pandemia e Covid-19.

Ndryshimi po ndodh edhe në sfondin e një administrate të re amerikane, e cila po i jep më shumë prioritet mjeteve politike sesa qasjes së “presionit maksimal”që përdorej nga Donald Trump, që u solli vetëm pasiguri partnerëve rajonalë të Shteteve të Bashkuara.

Por për momentin, ky ndryshim mbetet ende i brishtë, i nxitur më shumë nga dëshira për një pushim sesa nga një përqafim vendimtar i diplomacisë rajonale, apo edhe nga një dëshirë domethënëse për të çimentuar një rend rajonal të stabilizuar. Në këto kushte evropianët duhet të mendojnë se si mund ta mbështesin më së miri këtë ndryshim fillestar.

Për një kohë të gjatë ata janë penguar nga paaftësia e tyre për t’u marrë me këtë rajon përherë në konflikte. Por është qartazi në interesin e evropianëve, që të përdorin në mënyrë më efektive mjetet e paqes për të ndihmuar në forcimin e këtyre arritjeve të brishta.

Rajoni i Gjirit Persik

Vija ndarëse në konfliktin rajonal gjatë dekadës së kaluar, ka qenë konflikti midis Iranit dhe rivalëve të tij arabë të Gjirit Persik. Përshkallëzimi i tensioneve solli konfliktin në Jemen dhe Siri, dhe kërcënoi me përhapjen e tij më gjerë.

Por që nga sulmet e iranianëve kundër çisternave të ARAMCO në Arabinë Saudite, dhe në ujërat e Emirateve në vitin 2019, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite kanë hapur kanalet e dialogut me Iranin. Të dyja i druheshin përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës, duke pasur parasysh mosgatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të ndërhyrë.

E njëjta ndjenjë po vazhdon edhe gjatë presidencës së Joe Biden, dhe tani bisedimet

e drejtpërdrejta po organizohen nga Iraku. Tani për tani, këto negociata janë të natyrës hulumtuese. Dialogu është i përqendruar ngushtësisht në adresimin e kërcënimeve të menjëhershme të sigurisë, me Riadin që mbetet i bindur se Teherani kërkon hegjemoni rajonale.

Nga ana tjetër,Teherani dyshon mbi një përpjekje të vazhdueshme të Arabisë Saudite-Emirateve për të ruajtur presionin e sanksioneve të SHBA-së kundër tij. Riadi i sheh hapat seriozë drejt de-përshkallëzimit të situatës në Jemen, si një parakusht për përparimin në bisedime më të gjera.

Por gjatë muajve të fundit, rebelët Huthi e kanë intensifikuar sulmin e tyre ndaj Marib në Jemen dhe kanë përshkallëzuar sulmet kundër Arabisë Saudite. Dhe gjatë kësaj kohe, Irani duket se e ka rritur mbështetjen e tij për Huthit në vend se t’i nxiste ata të hynin në bisedime politike domethënëse.

Marrëdhëniet e Turqisë me Gjirin Persik dhe Egjiptin

Në këtë sfond, rajoni po sheh njëkohësisht një përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet midis Turqisë, Egjiptit, Arabisë Saudite dhe në një masë më të vogël me Emiratet e Bashkuara Arabe. Pas disa vitesh përpjekje për të pozicionuar veten si një hegjemone rajonale,që përballet me një aks të zgjeruar anti-Turqi, dhe që lufton në fronte të shumta, përfshirë Libinë dhe Mesdheun Lindor, Ankaraja duket se ka ndërruar befas kursin.

Tani ajo është e interesuar që të thyejë izolimin e saj rajonal, që nuk ka vetëm kosto terma ushtarakë, por edhe ekonomikë, me një rënie të madhe të eksporteve turke në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Zyrtarët turq janë aktualisht të angazhuar në një diplomaci të qetë, duke dërguar oferta paqeje në Kajro, Riad, madje edhe ndaj rivalit më të egër të Ankarasë, Abu Dabit.

Ndërsa lojtarët rajonalë mund të jenë tani më të gatshëm që ta pranojnë dorën e zgjatur të Ankarasë, ata të gjithë e kuptojnë se Erdogan është më i prekshëm, ndaj po përpiqen që të nxjerrin një kosto të lartë për çdo marrëveshje. Për Egjiptin, kjo do të thotë dhënia fund e marrëdhënieve të ngushta të Turqisë me Vëllazërinë Myslimane Egjiptiane.

Ndërkohë, bisedimet Turqi-Arabi Saudite në thelb janë një nënprodukt i dëshirës së tyre

të përbashkët për të shmangur izolimin në kushtet e marrëdhënieve më të ftohta me administratën e re të SHBA-së.

Inkurajimi i evropianëve

Nëse duan të ndihmojnë në sigurimin e një “lagjeje fqinje” më të qëndrueshme, evropianët duhet që të shtojnë përpjekjet e tyre për të mbështetur bisedimet diplomatike mes palëve.

Një qasje e pavarur dhe e fuqizuar evropiane, duhet të përqendrohet tani në mbështetjen proaktive të proceseve rajonale shumëpalëshe, si bisedimet e ndërmjetësuara nga BE për programin bërthamor të Iranit (JCPOA), dhe procesin për arritjen e paqes në Libi të udhëhequr nga Gjermania.

Ky model mund të shtrihet në teatrot e tjerë të konflikteve, si Jemeni dhe Gaza, ku Egjipti po bashkëpunon me Katarin për të arritur një armëpushim të brishtë. Por evropianët do të duhet të bëjnë më shumë, në mënyrë që të mund të ketë rezultate edhe më pozitive sesa thjesht të veprojnë si ndërmjetësues.

Ata duhet të përpiqen që të maksimizojnë çdo moment të gjeneruar nga një ringjallje e mundshme e JCPOA. Shtetet arabe të Gjirit Persik dhe Izraeli, vazhdojnë të kenë frikë se një marrëveshje e re do t’i japë Teheranit burime të rinovuara financiare për të mbështetur rrjetin e tij të aleatëve rajonalë, teksa evropianët do të duhet të përqendrohen tek garancia që bisedimet e mëtejshme të parandalojnë përshkallëzimin e situatës.

Nga Asli Aydıntaşbaş, Julien Barnes-Dacey, Cinzia Bianco, Hugh Lovatt & Tarek Megerisi, European Council on Foreign Relations


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu