Nga i dëgjueshëm i VMRO-DPMNE-së dhe gënjeshtar, tani reformator. LSDM ka ndryshuar gjithë mendimin që kishte më parë për deputetin e BDI-së, Talat Xhaferi të cilin tani e mbështet për kryetar Kuvendi. Jo vetëm në debatet parlamentare, por edhe në shumë debate televizive, përballë funksionarëve të LSDM-së shpesh herë ndodhej pikërisht Xhaferi dhe në adresë të tij shkonin pjesa më e madhe e akuzave. Debatet shpesh ishin të nxehta dhe me kualifikime nga më të rëndat, si ndaj BDI-së në përgjithësi ashtu edhe ndaj Xhaferit në veçanti. Akuza kryesore para së gjithave ishte se janë të dëgjueshmit e Gruevskit dhe e ndihmojnë atë, si gjatë qeverisjes ashtu edhe gjatë bisedimeve në Përzhino dhe periudhën më pas.
Por përveç deputetëve dhe funksionarëve të tjerë edhe vetë kreu i LSDM-së, Zoran Zaev e pati quajtur gënjeshtar deputetin e BDI-së, i cili mbahet mend si propozues i ligjit për ndalimin e bombave të Zaevit. Pikërisht për këtë iniciativë të Xhaferit BDI dhe LSDM u përplasën gjatë kohë në opinion. Edhe në këtë temë kishte akuza se BDI dhe Talat Xhaferi si propozues i ligjit, tenton të mbrojë BDI-në dhe VMRO-DPMNE-në nga përmbajtjet e bisedave të përgjuara.
“E respektoj zotin Xhaferi dhe do të them se gënjen”, tha kryetar i LSDM-së, Zoran Zaev.
Gjatë promovimit të kandidaturës së Talat Xhaferit për kryetar Kuvendi, u tha se me zgjedhjen e tij do të fillojë formimi i Qeverisë reformatore dhe se skena politike në Maqedoni do të pastrohet nga politikanët e korruptuar.










