Si po i shërben Sali Berisha-Saimir Tahirit

Filloi si një teori konspiracioni disa ditë më parë sipas të cilës ishte Berisha ai që kishte marrë përsipër shpëtimin e Saimir Tahirit, por tashmë veprimet e ish-kryeministrit ditët e fundit kanë bërë që shumë t’a besojnë atë.

Ndërkohë që e gjithë vëmendja e opinionit publik dhe medias është tek skandali i përgjimeve të Saimir Tahirit dhe vendimi i socialistëve për të mos e dorëzuar pas kërcënimeve të hapura të tij ndaj shefit të PS-së, Berisha po përpiqet që të shpërqendrojë këtë vëmendje duke e tërhequr nga një tjetër ministër i Ramës, shkruan Albeu.com.

Berisha sapo ka publikuar një mesazh të qytetarit të tij digjital ku thuhet se ministri tjetër i Ramës, Damian Gjiknuri ka lidhje me Habilajt për të cilët akuzohet edhe Tahiri.

Dy ditë më parë, ndërkohë që të gjithë ishin fokusuar tek akuzat e rënda ndaj Tahirit dhe vendimi nëse do të dorëzohet apo jo tek drejtësia, Berisha shpejtoi që t’a devijonte diskutimin nga akuzat për trafik ndërkombëtar narkotikësh tek syzet e shtrenjta të ish-ministrit.

Berisha duket të jetë në një aksion të shpëtimit të Tahirit pasi e futi nën “besën” e tij ditën kur të gjithë e kishin braktisur nga PS-ja.

Edhe argumentet “copë copë” të prokurorëve të Krimeve të Rënda para komisionin e mandateve besohet të jenë pjesë e strategjisë së Berishës për të nxjerrë të larë Tahirin për t’i përdorur në një kohë tjetër dosjet e tij kundër Ramës dhe PS-së.

Ndoshta atij nuk i shërben më shumë Tahiri se sa krijimi i një kauze të fortë siç është ajo e luftës kundër qeverisë së zhytur në krim duke parë se si edhe Rama nuk po e dorëzon ish-ministrin e tj. Me Tahirin jashtë hekurave, Berisha dhe PD legjitimojnë aksionin e tyre katër vjeçar i cili ishte: kanabisi dhe krimi po blejnë zgjedhjet.

Më shumë se në burg, Tahiri i shërben Berishës dhe Bashës jashtë tij duke forcuar argumentet e tyre. /albeu


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu