Si quhet ai që mund ta mundë Ramën?

Rezultati katastrofik i opozitës në zgjedhjet e së dielës ka nxitur sërish të njëjtin debat: atë si mund të ringrihet ajo. Kryefjalë për një pjesë kritikësh është vetëlargimi i Berishës, duke u konsideruar se ai po e mban peng atë. Në fakt, nëse është fjala për PD-në, atë zyrtare, harrohet se Berisha nuk është më në krye të saj. Pra, PD, ajo që deri dje drejtohej nga Alibeaj, kishte të gjithë mundësinë, siç dhe vetë Alibeaj, të tregontë zotësi politike pa Berishën në krye. Nuk e tregoi dot dhe çfarë tregon kjo? Tregon një tjetër lloj krize: atë që opozita nuk nxjerr dot figura konkuruese me kreun e mazhorancës, pra Ramën. Dhe në të gjitha qasjet e analizat, askush nuk i referohet pikërisht këtij të fundit, tipologjisë dhe individualitetit politik të atij që qeveris, i cili deri më tani, por dhe në horizont jo e jo, nuk ka një lloj të përafërt që mund ta sfidojë politikisht.

Le të kujtojmë për një moment më të afërtit kulturalisht me të, ata që në kohën e Ramës publicist e kritizier me nam, ishin krah tij me një impakt të ngjashëm publik, Lubonja dhe i ndjeri Klosi. Lubonja kurrë nuk pranoi të sprovohej politikisht. Veç një antiberishizmi intelektual që ia rriti kuotat publike në vitet ’90, një antinanoizmi gjithashtu në vitet ‘2000, Lubonja nuk guxoi kurrë të marrë ndonjë përgjegjësi shtetërore, zyrtare apo politike, si tregues që veç kritikut mund të bëjë dhe modelin ofertues për atë që kritikon. Klosi e bëri por dështoi, si drejtor i RTSH-së. Por ndërsa Klosi nuk iu kundërvu ndonjëherë Ramës, deri sa ndërroi jetë, Lubonja ka 20 e kusur vjet që bën luftë të paepur me ish-sivëllain e tij mental, por pa guxuar ta sfidojë në mejdanin e politikës. Më shumë se çdokujt atij i takonte ta bënte këtë gjë, por jo; mjaftohet duke thënë se duhet të vijnë të rinj në politikë, por se cilët janë këta e se si ata mund të tejkalojnë Ramën në bindshmëri dhe forcë imponuese, nuk e thotë. Dhe ky është thelbi, arsyeja se pse Rama e PS-ja e tij janë aty ku janë, në majë, dhe opozita është aty ku është, në zgrip. Kjo ka të bëjë pikërisht më atë çfarë është Rama.

Nëse bëjmë një retro, do shohim se qysh me afirmimin e tij publik në ’90-ën, ai vijon të ketë po atë forcë imponuese, pa zbehje, ku kombinohet ligjërimi unik, i pakonkurrueshëm, idetë avangardë dhe kurajoja e pashterrshme. Dhe është tejet e lexueshme që në këto komponentë ai ende nuk ka asnjë sfidant me të njëjtën peshë përballë, te figurat me peshë publike përfshirë ato politike.

Njeriu që mund të mund Ramën, logjikisht duhet ta tejkalojë atë, të imponjë e të injektojë te opinioni apo votuesi perceptimin e një personi superior ndaj kreut aktual të mazhorancës në katër drejtime: kulturor, ligjërimor, kreativ, vizionar. Por po t’i ketë dhe këto, atij i duhet të sfidojë inercinë e së kaluarës së Ramës e cila efekton pozitivisht në të tashmen e tij, si e njeriut më shtatlartë se të tjerët në mendimin publik para se të përfshihej në politikë, duke mbajtur gjithnjë pozitën e nr. 1 në tërheqjen publike, pa rival në llojin e vet. Për ilustrim, Nikollë Lesi do kujtonte kohë më parë faktin se kur Rama shkruante apo intervistohej te Koha Jonë, tirazhi i gazetës kalonte çdo parashikim.

Por veçanti është se koha apo kontekstet ende nuk kanë prevaluar mbi Ramën; ky prevalon mbi to duke vijuar të shkruajë historinë e tij. Një histori tejet e diskutueshme, me dritëhijet e veta, sigurisht nga 10 vitet e qeverisjes, pa atë rilindjen e premtuar, por që ende nuk kanë mundur t’i sjellin ndonjë rival me peshë në peshën e tij.

Dhe ajo çfarë populli lexon kur hedh votën është pikërisht kjo, ndaj dhe ai triumfon rregullisht, nganjëherë dhe mërzitshëm.

Populli lexon që në një Shqipëri e në një botë më të komplikuar, me kriza të panjohura deri më dje, në qeverisje duhet një njeri me tipare tej të zakonshmes, afër gjeniales. Dhe Rama, do apo nuk do, e pranon ose jo, është mes këtyre të dyjave. Nga ana tjetër, askush deri më tani, prej figurave të zakonshme politike, edhe prej atyre që synojnë pushtet, nuk gëzon të tillë atributi. Shih Ramën vetëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, aty ku vërtet duhen pushtetarë gjenialë sot; raportet që mban me liderë e figura ndërkombëtare, që nga miqësitë që krijon e deri te raportet diplomatike me sheqer, kripë e piper, sipas tipit dhe çështjeve që shtrohen.

Dhe ky nuk është ditiramb për Ramën, është një përshkrim i asaj që nuk thuhet apo anashkalohet në analizat e rëndomta. Për test, sforcohuni dhe gjejeni një që mund ta mundë, në politikë apo jetën publike, një që kur flet të bën të kthesh kokën e të thuash: ç’mendje brilante! I tillë duhet të jetë sfidanti i Ramës, të tillë nuk e ka një për be opozita.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu