Si ta fitoni shtetësinë e Suedisë, rregulla të reja?

Qeveria suedeze ka prezantuar një paketë të re masash që ashpërsojnë ndjeshëm kriteret për marrjen e shtetësisë. Sipas propozimeve të publikuara të hënën nga kabineti i qendrës së djathtë, aplikantët do të duhet të përmbushin kushte më të rrepta se deri më tani.

Në vend të pesë viteve qëndrimi, kandidatëve do t’u kërkohet të kenë jetuar të paktën tetë vite në Suedi. Përveç kësaj, ata duhet të dëshmojnë të ardhura mujore mbi 20.000 korona suedeze (rreth 2.225 dollarë), si dhe të kalojnë me sukses një test për njohjen e gjuhës dhe të shoqërisë suedeze.

Ministri i Migracionit, Johan Forssell, deklaroi se kriteret e reja janë dukshëm më të ashpra krahasuar me sistemin aktual, duke theksuar se deri tani kushtet kanë qenë minimale.

Reformat vijnë në vazhdën e një kursi më të ashpër migracioni që Suedia ka ndjekur që nga viti 2015, kur rreth 160.000 azilkërkues mbërritën në vend. Qeveria minoritare, e mbështetur nga partia anti-imigracion “Demokratët e Suedisë”, argumenton se politikat e mëparshme kanë kontribuar në rritjen e krimit të organizuar dhe pasigurisë.

Sipas propozimit, personat me precedentë penalë – qoftë brenda apo jashtë Suedisë – do të përballen me periudha edhe më të gjata pritjeje para se të mund të aplikojnë për shtetësi. Për shembull, një individ që ka vuajtur katër vite burg do të duhet të presë 15 vite përpara se të paraqesë kërkesë për shtetësi suedeze.

Nëse miratohen, ndryshimet pritet të hyjnë në fuqi më 6 qershor.(INA)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu