Nuk planifikojmë anulim tjetër të regjistrimit të popullsisë. Normalisht, do të varet edhe nga gjendja epidemiologjike, por duke i pasur parasysh informatat e fundit nuk pres se në shtator do të kemi prapë valë të re ashtu siç kishim në mars dhe prill, thotë drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostol Simovski, në një intervistë për “Utrinski brifing”, njofton Portalb.
“Ajo sigurisht do ta bëjmë është se do t’i respektojmë të gjitha masat për mbrojtje, gjegjësisht do të sillemi në regjistrim si të jetë vala më e madhe e infektimit, duke i respektuar të gjitha masat. Nga ky aspekt, popullata nuk duhet të jetë e shqetësuar. Në shtator presim që të jetë koha e mirë, dhe një pjesë, ku ka mundësi, regjistrimin mund ta bëjmë në ambient të hapur… presim edhe se një pjesë e mirë e qytetarëve të jenë vaksinuar. Janë siguruar vaksina edhe për personelin tonë”, deklaroi Simovski.
Ai nuk pret që nga regjistrimi të regjistrohen më shumë se 1.5 milionë banorë në shtet, pasi që siç thotë ai, trendi i emigrimit është shqetësues. Ai theksoi se vetëm në Gjermani jetojnë rreth 130.000 bashkëqytetarë tanë, a çdo i porsalindur i tretë, lind jashtë vendit.
“Unë asnjëherë nuk kam thënë se vlerësoj se jemi aq, por se frikësohem. Ajo që të gjithëve na shqetëson është se një numër i madh i njerëzve po na emigrojnë. Treguesit që i kemi mbledhur me hulumtimet statistikore në lidhje me lindjet tregojnë se kemi rënie të vazhdueshme të lindjes në vend, derisa rritet lindja jashtë vendit. E gjithë kjo tregon se një pjesë e mirë e popullatës sonë ka emigruar jashtë vendit. Prej këtu është edhe frika ime se numrat e popullatës janë më të vogla. Të dhënat që i kam parë janë tmerruese. Të dhënat nga enti statistikor gjerman janë se deri në fund të vitit 2020 në Gjermani kemi 128.000 shtetas të RMV-së të cilët qëndrojnë atje, me leje për qëndrim. Ky është numër i madh. Nuk e dimë se sa është numri i personave tanë që kanë prejardhje ng Maqedonia, a kanë shtetësi gjermane, pasi që gjermanët nuk lejojnë shtetësi të dyfishtë, por gjithashtu nuk kemi të dhëna se sa shtetas tanë kanë shkuar atje me pasaportë bullgare, pasi që i vlerësojnë si shtetas bullgar, a numri i tillë është mbi 300.000. Vetëm kjo e dhënë do të ju mendojë. Ku janë shtetet tjera evropiane, vendet tejoqeanit e të tjera. Nga ajo që tani i mbledhim me vetëregjistrimin jashtë vendit, besoni se nuk ka pikë të globit që nuk kemi shtetas tanë”, thotë Simovski.









