Derisa shumë njerëz kanë probleme me kujtesën dhe shpesh u krijon probleme qoftë në punë apo jetën private, kështu nuk ndodh edhe me disa njerëz që vuajnë nga një sindromë e rrallë dhe që në gjithë botën e kanë vetëm 60 veta.
Rebecca Sharrock i ka vetëm 27 vjet dhe i kujtohet edhe ngjyra e batanijes me të cilën ishte mbështjell kur ajo ishte vetëm njëjavëshe, e njëjtë e kujton edhe festën e Krishtlindjeve edhe pse ajo i kishte 14 ditë jetë, transmeton Telegrafi.
Njerëzit kryesisht nuk mbajnë në mend pothuajse asgjë pa i mbushur katër vjet, por në rastin e kësaj vajze fjala është për fantazitë nostalgjike. Kjo australiane nga Brisbani, nuk e ka kujtesën sikurse shumica e njerëzve. Ajo vuan nga një sindromë e rrallë e njohur si “hipertimezi” apo HSAM.
Gjendja e saj unike neurologjike nënkupton se ajo është në gjendje të kujtoj çdo ngjarje që i ka ndodhur në çdo ditë të jetës së saj. Njerëzit me sindromën HSAM, në çdo moment pa kurrfarë problemi janë në gjendje t’ua shpjegojnë gjithçka sikur të jenë duke shikuar ndonjë film.
Derisa u rrit dhe u pjek mendonte se këtë aftësi e kanë të gjithë. Por, një ditë prindërit e ftuan që ta shikojë një dokumentar për personat me sindromën HSAM.
“Ishte data 23 maj e vitit 2011”, thotë ajo duke kujtuar në detaje këtë moment.
Derisa këta persona flisnin për çdo moment të jetës duke mos harruar asgjë, gazetarët kishin mbetur të habitur duke thënë: “Është mrekulli”. Aty ajo i pyeti prindërit se “a nuk është normale një gjë e tillë”.
Disa ditë më vonë kontaktoi me akademikët që ishin pjesë e këtij dokumentari, të cilët e testuan dhe në vitin 2013 e diagnostifikuan me HSAM.
Për këtë sindromë bota kishte filluar të sigurojë informata qysh në shekullin e XX-të dhe në gjithë botën janë të regjistruar vetëm 60 raste . Por, ende nuk dihet se pse disa persona lindin me HSAM-in.
Derisa disa persona me HSAM i përshkruajnë në detaje momentet e jetës, Sharrock – e cila gjithashtu vuan nga autizmi – thotë se truri i saj është i “mbingarkuar” pasi vazhdimisht i sillen nëpër kokë kujtimet që i sjellin kokëdhembje.
Sharok pranon se ndihet jo e qetë, por edhe e ngarkuar, pasi i duket vetja thuajse ka ngecur në ndonjë makineri të kohës. Por, për t’i tejkaluar këto ngarkesa, ajo ka mësuar një metodë interesante – i kujton vetëm momentet e mira me qëllim që t’i mbulojë ato të këqijat.
“Në fillim të çdo muaj i mbledh momentet më të bukura, dhe mundohem t’i kujtojë kur vërtetë ndihem e ngarkuar”, ka shtuar ajo, transmeton Telegrafi.
Por, kjo sindromë ka edhe anët pozitive, pasi përmes saj mundohen të dinë se si e shohin bebet dhe fëmijët botën. Sharrock tregon se çfarë ia kishte tërhequr vëmendjen më shumë derisa ishte bebe, dhe kujton momentin kur filloi për herë të parë të ecë.
HSAM gjithashtu mund të ndikoj edhe në ëndrra. Sharrock shpjegon se si e rritur rrallë herë ka makthe, pasi mund ta ndërrojë kahjen e ngjarjes që e sheh në ëndërr. Por, një aftësi të tillë nuk e kishte kur ishte bebe. Kur nisi të shohë ëndrra kur si 18-muajshe, nuk mund të dallonte realitetin me ëndrrën.
Ajo tani është pjesë e dy hulumtimeve në Universitetin e Clevelandit dhe atë të Kalifornisë, ku ndër tjera këta persona mund të ndihmojnë në lehtësimin e problemeve që i kanë personat e prekur nga Alzhajmeri. Megjithatë, ekziston vetëm një moment që asaj nuk i kujtohet në jetë, lindja e saj /Telegrafi/










