Sinjali nga Sllovenia: Shqipëria mund të ndahet nga Maqedonia, por disa vende të BE e kundërshtojnë

Sllovenia merr Presidencën e Bashkimit Europian më datë 1 korrik dhe në fjalën e mbajtur me rastin e 30-vjetorit të pavarësisë së vendit, Presidenti Borut Pahor nënkuptoi se gjatë samitit të 24-25 qershorit të udhëheqësve të BE-së, Shqipëria mund të marrë dritën jeshile të mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare.

“Detyra e parë që na pret do të jetë Maqedonia e Veriut. Besoj se duhet të gjejmë një mënyryë që Bullgaria të japë dritën jeshile për Maqedoninë e Veriut. Kjo nuk do të jetë e lehtë. Shqipëria duket se ka më shumë mundësi që ta marrë dritën jeshile”, tha Pahor.

Presidenti sloven deklaroi se vendi i tij mbështet nisjen e negociatave si për Shqipërinë, ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut dhe thotë thotë se do të miratonte edhe një ndarje të mundshme të dy vendeve, megjithëse e cilëson këtë si tragjike.

“Nuk është më çështje politike për Europën, por çështje morali”, shtoi Pahor.

Megjithatë, nga Luksemburgu ku ministrat e Jashtëm të BE u mblodhën këtë të hënë u dha sinjali se skenari i ndarjes mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në procesin e negociatave nuk do të ndodhë.

Ministrat e Jashtëm do të marrin një vendim përfundimtar të martën, që më pas do ta propozojnë në samitin e udhëheqësve të BE-së. Gjasat janë që Shqipëria të penalizohet për shkak të vetos Bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut.

Radio Europa e Lirë thotë se Bullgaria nuk ka hequr dorë nga kundërshtimi në rastin e Maqedonisë së Veriut dhe si pasojë, disa vende tjera nuk kanë dashur që të nisen negociatat vetëm me Shqipërinë. Bullgaria e bllokoi mbajtjen e bisedimeve me Maqedoninë edhe vitin e kaluar, për shkak se kërkon që ajo të pranojë që gjuha maqedonase është një dialekt perëndimor i gjuhës bullgare. Po ashtu, dy vendet kanë pretendime mbi përkatësinë etnike të disa prej figurave më të shquara historike dhe kulturore që të dyja palët i llogarisin si të vetat.

Pavarësisht këtyre sinjaleve, Sllovenia vlerëson se zgjerimi është me rëndësi për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, ndërsa duke interpretuar nismën e SHBA për të luftuar korrupsionin në shkallë globale përmes sanksioneve dhe sekuestrimit të aseteve e cilëson atë si vendim serioz.

Pahor thotë se publikimi i propozimeve jozyrtare për ndryshime kufijsh në Ballkanin Perëndimor, dokumenta që rrodhën nga zyra e tij nuk do të ndikojë në ushtrimin e detyrës së Presidencës së BE-së nga Sllovenia.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu