Sistemi “Safe City” shtyhet: Gjobat nga kamerat nisin më 1 shkurt 2026

Pas disa javësh testimesh dhe dërgimit të paralajmërimeve me SMS, Ministria e Punëve të Brendshme ka vendosur të shtyjë zbatimin zyrtar të sistemit “Qytet i Sigurt” (“Safe City”). Në vend që të niste më 1 janar, siç ishte paralajmëruar fillimisht, regjistrimi dhe ndëshkimi i shkeljeve përmes kamerave do të fillojë më 1 shkurt 2026, bëjnë të ditur nga MPB për “360 gradë”.

Nga Ministria theksojnë se nga shkurti sistemi do të funksionojë në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si edhe në korridoret kryesore të transportit 8 dhe 10. Gjatë fazës së testimit, kamerat tashmë evidentojnë shkeljet, por në vend të gjobave dërgohen vetëm paralajmërime, të cilat konsiderohen si pjesë e përgatitjeve për zbatimin e plotë.

Shtyrja ndodh në një periudhë kur po shqyrtohen edhe disa ndryshime të mundshme. Disa nga drejtuesit e MPB-së ditët e fundit kanë hapur mundësinë për vendosjen e një tolerance në kufizimet e shpejtësisë, duke propozuar që të mos ndëshkohen drejtuesit që qarkullojnë me 52–53 km/h në zona ku kufiri është 50.

Me afatin e ri, institucionet fitojnë një muaj shtesë për harmonizimin e sistemit, ndërsa drejtuesit e automjeteve marrin pak më shumë kohë për t’u përshtatur, para se kamerat të fillojnë të lëshojnë gjoba reale, raporton INA


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu