Skandal me dosjet e Gjykatës Speciale për Kosovën, dorëheqje e një prokurori ndërkombëtar

Mijëra dokumente të Gjykatës Speciale për Kosovën, me informacione të besueshme për rrjedhën e deritanishme të hetimeve për krimet e luftës në luftën e fundit në Kosovë, janë dorëzuar nga ana e personave të maskuar në dy raste, para një jave dhe sot, në Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL të UÇK), informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Si pasojë e rrjedhës së të dhënave të besueshme nga hetimet për lidhjen e një numri të madh të pjesëtarëve të UÇK-së, në mesin e të cilëve edhe themelues dhe udhëheqës të saj, sot dorëheqje dha zëvendësi dhe prokurori kryesor ndërkombëtar, Kvai Hong Ip, njofton “Gazeta Ekspres”, duke iu referuar burimeve të saja në Hagë, ku janë Tribunali dhe Prokuroria.

Portali i Prishtinës ka kontaktuar me Prokurorinë pranë Odave të Specializuara për Kosovën, siç është emri zyrtar i gjykatës, megjithatë prej atje kanë refuzuar që ta komentojnë informacionin për dorëheqjen e Ip.

Hetues të Tribunalit sot për herë të parë bënë kontroll në hapësirat e organizatës së veteranëve të UÇK-së në kryeqytetin e Kosovës dhe kanë konfiskuar dokumente të klasifikuara, të cilat sot atje i kanë dorëzuar persona të maskuar.

Deri më tani nuk dihet se kush dhe me çfarë qëllimi i ka dorëzuar dokumentet në OVL të UÇK, por është e sigurt se bëhet fjalë për dosje origjinale, të cilat përmbajnë hollësi me të dhëna nga hetimet e deritanishme dhe me emrat e dëshmitarëve të cilët ishin hetuar.

Kryetari i OVL UÇK, Hysni Gucati, i cili në praninë e avokatit ua dorëzoi dokumentet hetuesve të Hagës, deklaroi se qëllimi i tij ishte që t’i detyrojë hetuesit dhe prokurorët e Tribunalit “që ta pranojnë se ai material është i tyre”.

“Ne kërkuam nga ata që të na thonë se si dalin nga ata ato dokumente dhe dosje, por ata nuk dinin të na përgjigjeshin. Megjithatë, siç tha edhe avokati i tyre, Tomë Gashi, ata de jure e pranojnë se dokumentacioni, gjegjësisht dosjet janë pronë e Gjykatës Speciale, gjegjësisht nuk janë falsifikuar”, deklaroi Gucati.

Ai shtoi se personi i cili sot i ka dorëzuar materialet nuk ishte i njëjti prej para një jave, sepse i pari e dinte saktë ku të shkojë, përderisa ky sot, sipas xhirimeve të cilat i posedon OVL e UÇK, e ka gabuar hyrjen në hapësirat e organizatës dhe së pari ka hyrë në një restorant në afërsi.

“Gjënë e vetme që e tha kur na i dorëzoi materialet ishte se ‘do të ketë ende”, informoi Gucati.

Prokuroria pranë Gjykatës Speciale me seli në Hagë, e njohur në opinionin e Kosovës si “gjykata për UÇK-në” i heton krimet e supozuara të luftës gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë, gjegjësisht në periudhën prej janarit të vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Ftesë që të paraqiten para Prokurorisë, në rolin e të dyshuarve ose dëshmitarëve për krime kundër popullatës civile shqiptare dhe serbe në Kosovë, sipas informacioneve të deritanishme, kanë marrë mbi 300 ish udhëheqës ose pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Në mesin e atyre të fundit që u thirrën në Hagë, si të dyshuar, janë edhe dy nga themeluesit dhe udhëheqësit e UÇK-së, presidenti aktual i Kosovës Hashim Thaçi dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës dhe spiker i deri paradokohshëm i Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe shefi i shtabit kryesor të UÇK-së, më vonë edhe kryeministër i Kosovës, gjenerali Agim Çeku.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu