Mitingu për mbështetjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Kumanovë ka marrë jehonë rajonale, pasi mediat serbe raportuan se shoqata që e organizoi ngjarjen më parë ka marrë para nga Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë. Bëhet fjalë për shoqatën “Paqe, harmoni, stabilitet”, e cila sipas informatave nga MPB-ja e Maqedonisë së Veriut është paraqitur si organizatore e tubimit në Kumanovë. Ngjarja u mbajt më 23 maj, në të njëjtën ditë kur në Beograd u mbajt protesta e madhe studentore dhe qytetare në Sheshin “Sllavija”, shkruan Racin.mk, transmeton Portalb.mk.
Në mitingun në Kumanovë morën pjesë disa qindra qytetarë, me flamuj serbë dhe maqedonas dhe pankarta me mesazhe mbështetjeje për Vuçiqin. Mediat serbe të afërta me pushtetin e paraqitën ngjarjen si sinjal të rëndësishëm politik, ndërsa një pjesë e mediave të pavarura në Serbi hapën çështjen e organizatorëve dhe burimeve të financimit.
Të dhënat publike tregojnë se Drejtoria për bashkëpunim me diasporën dhe serbët në rajon, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, në prill i ka ndarë 400.000 dinarë shoqatës “Paqe, harmoni, stabilitet” për projektin “Ortodoksia dhe spiritualiteti na lidhin – Nën mbrojtjen e lutjes”.
Ky fakt nuk dëshmon se paratë janë përdorur drejtpërdrejt për mitingun në Kumanovë, por hap çështjen e lidhjes politike dhe financiare mes organizatave në Maqedoninë e Veriut dhe institucioneve në Serbi, veçanërisht kur ngjarja zhvillohet në periudhë tensionesh të forta politike në Beograd.
LSDM ka akuzuar se pas tubimit qëndron partia në pushtet VMRO-DPMNE dhe se ngjarja është dakorduar në Shkup, në një takim mes zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq dhe presidentit të Partisë Përparimtare Serbe, Millosh Vuçeviq. VMRO-DPMNE i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka mohuar përfshirjen në organizim.
Përfaqësuesja e shoqatës “Paqe, harmoni, stabilitet” ka deklaruar se bëhet fjalë për një tubim paqësor në mbështetje të presidentit serb. Komuna e Kumanovës, nga ana tjetër, ka theksuar se është në dijeni për mbajtjen e ngjarjes, por nuk merr pjesë në organizimin e tubimeve politike.
Rasti tani po zhvillohet si temë politike rajonale, pasi lidh tensionet e brendshme në Serbi, aktivitetet e organizatave serbe në rajon dhe marrëdhëniet politike në Maqedoninë e Veriut. Mbetet e hapur pyetja nëse bëhet fjalë për një iniciativë qytetare të një shoqate apo për pjesë të një mobilizimi më të gjerë politik me mbështetje institucionale nga Serbia.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ka kohë që debatohet edhe brenda eksponentëve politikë për prezencën e të a.q. “botës serbe” në jetën politike të vendit. Millorad Dodik, politikani kontrovers serb, kryetar i të a.q. Republika Sërpska, në shënimin e “Shën Savës”, festës nacionale të komunitetit serb, organizuar nga Qendra Kulturore Serbe në Shkup, kishte drejtuar porosi kundër Bashkimit Europian. Dodiku ishte i ftuar special i zëvendëskryeministrit të RMV, Ivan Stoilkoviq. Kjo temë u hap edhe më 12 shtator 2025 me rastin e 109-vjetorit të Betejës së Kajmakçalanit nga delegacioni serb dhe mesazhet që u përcollën.
Kujotjmë se shqetësimet për rritjen e ndikimit të “botës serbe”, në Maqedoninë e Veriut, u theksuan vitin e kaluar edhe në Raportin e Parlamentit Evropian lidhur me Maqedoninë e Veriut.










