‘Skllevërit e shekullit 21’: Shqiptarët punojnë shumë e paguhen pak në Gjermani, mashtrohen nga punëdhënësit

Të shkosh në Gjermani për të punuar me kontratë pune, për kosovarët tashmë konsiderohet si një llotari. Mirëpo, përveç rrugëve legale nga Kosova janë nisur mijëra qytetarë për të punuar edhe ilegalisht, dhe kjo është një nga format e punës ku ata nuk trajtohen aspak të barabartë me punëtorët gjermanë dhe ata me dokumente të rregullta

Nga nevoja e madhe për punë kosovarët punojnë çkado dhe çka munden në Gjermani, dhe shfrytëzohen shpesh nga punëdhënësit e tyre. Paguhen më pak se që e meritojnë, punojnë shumë më shumë se orari i përcaktuar me ligj në Gjermani dhe e gjithë kjo nga nevoja e madhe për para, dhe ilegaliteti i tyre.

Avokati Sasa Trninic, nga një kancelari e Frankfurtit, ka mbrojtur para gjyqit disa punëtorë me kontrata të rregullta nga Ballkani, mes tyre shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova. Ai tha se këta të fundit e punëtorëve normalë në Gjermani. Punojnë shumë dhe paguhen pak.

“Ata që punojnë ilegalisht nuk gëzojnë të drejta. Edhe pse autoritetet gjermane në kontrolle janë shumë të rrepta, ata janë të përgatitur, për shembull kur janë në një shesh ndërtimi të vrapojnë, kur vjen kontrolli. Ata e dinë saktësisht, nëse nuk i marrin aty paratë në dorë, harroje, nuk marrin më asgjë”, thotë Sasa Trninic për DW.

Avokati Trninic thotë se këta punëdhënës janë zakonisht nga Ballkani Përëndimor dhe janë të përagditur mirë për të plotësuar formulare të rrejshme kur regjistrojnë një biznes. Ai thotë se janë të aftë të manipulojnë me persona që kanë nevojë të madhe për punë, dhe prandaj bëjnë ç’të duan me ta.

“Dokumentet dërgohen në përfaqësitë përkatëse gjermane në Ballkan. Shumë punëtorëve u duhet të presin me vite për të realizuar ëndrrën e punës legale në Gjermani. Kur vijnë ata nuk sjellin me vete vetëm mirënjohjen, por pashmangshëm edhe mungesën e dijes për ligjet gjermane. Mungesën e njohurive të gjermanishtes. Ata janë të pasigurtë në komunikim. Nuk dinë ku të drejtohen, ose kanë të frikë të drejtohen diku. Për ata që kanë lënë familjen në vendlindje në varfëri, punëdhënësi shihet si fatsjellësi”, thotë tutje Sasa Trninic.

Kujtojmë, që vetëm brenda dy viteve Ambasada Gjermane në Prishtinë, ka lëshuar 48 mijë e 838 viza, prej tyre 11 mijë e 593 viza pune për qytetarët e Kosovës. Gjermania i prin listës së kërkesave të kosovarëve që kërkojnë viza pune, duke u ka ofruar punë si mjekë, infermierë, inxhinierë të të gjitha kategorive, teknikë kompjuterësh, zanatçinj, si hidraulikë, elektricistë, muratorë, punëtorë të ndërtimtarisë etj

Përveç Gjermanisë, edhe Sllovenia po shihet si një mundësi e mirë punësimi nga qytetarët e Kosovës. Për dy vite, numri i aplikimeve për viza pune në ambasadën e Sllovenisë ka shënuar rritja. Vetëm gjatë vitit 2019 Ambasada Sllovene në Kosovë ka lëshuar 10 mije 121 viza te përkohshme për qytetarët e Kosovë.

Nga Kosova mbi gjysmë milioni kosovarë emigruan për 10 vjet, duke e bërë vendin të dytin për nga shkalla e emigrimit në vendet e BE’së.

Për 10 vjet nga Kosova kanë emigruar 529 mijë e 647 qytetarë, apo 30% të popullsisë. Në mënyrë ilegale gjatë këtyre 10 vjetëve emigruar 141 mijë e 900 qytetarë të Kosovës


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu