Sofja e shqetësuar për bullgarët në Maqedoni

Ministria e Punëve të Jashtme bullgare mbrëmë shprehu “shqetësim të fortë” për ndryshimet në Ligjin për shoqatat dhe fondacionet dhe Ligjin për partitë politike të miratuara më 2 nëntor nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut. Resori i udhëhequr nga ministri teknik Nikolaj Milkov ka publikuar një tekst më të gjatë ku deklaron qëndrimin e MPJ-së. “Ka shqetësime serioze se ato (ndryshimet ligjore) kanë për qëllim kufizimin diskriminues të së drejtës së asociimit të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, për çka është arsyeja e interpretimit të njëanshëm të fakteve historike. Aspirata legjitime për t’iu kundërvënë të gjitha formave të ekstremizmit dhe urrejtjes nuk mund të instrumentalizohet për të kufizuar qëllimisht të drejtat e komuniteteve konkrete”, thonë nga MPJ-ja bullgare.

Në shpjegimin e qëndrimit theksohet se kufizime të një natyre të tillë u vendosën tashmë për bullgarët në RMV, kur organizata “Radko”, pseudonim i Ivan Mihailovit, u ndalua me argumente të ngjashme në vitin 2001. MPJ-ja bullgare rikujton se për atë çështje (rasti “Radko dhe Paunovski kundër IRJM-së”, nr. 74651/01) Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut tashmë ka marrë një vendim, dhe shprehin argumentet e gjykatës: përjashtimet nga e drejta liria e asociimit duhet të jetë e ngushtë dhe e interpretuar në mënyrë korrekte dhe vetëm arsyet e bindshme dhe imperative mund të justifikojnë kufizimet e kësaj të drejte; përdorimi i emrit të një personi, i cili perceptohet negativisht nga shumica e popullsisë, nuk mund të përcaktohet në vetvete si i dënueshëm ose të përfaqësojë një kërcënim real dhe potencial për rendin shoqëror.

Por kjo nuk është e vetmja vërejtje e Sofjes zyrtare. Nga aty, ata mendojnë se mekanizmi sipas të cilit Trupi Konsultativ i themeluar në Shkup duhet të japë mendime pozitive për të lejuar përdorimin e emrit, mbiemrit, pseudonimit, shkurtesës apo inicialeve të një personi historik, paraqet pyetjen e imponimit të aksesit në interpretimin e figurave dhe ngjarjeve historike, vetëm në bazë të interpretimit zyrtar dominues të Maqedonisë e Veriut. “Kjo qasje logjikisht shpjegon hezitimin për të zhbllokuar punën e Komisionit të përbashkët multidisiplinar të ekspertëve për çështjet historike dhe arsimore. Problem i veçantë është vendimi i Parlamenti të Maqedonisë së Veriut që komunizmi të mos përfshihet fare, si ideologji totalitare dhe represive, në zbatimin e amendamenteve të miratuara. Nuk ka ende asnjë masë ligjore apo mekanizëm për rehabilitimin dhe kompensimin e atyre që vuajtën gjatë regjimit komunist në ish-RS të Maqedonisë, të persekutuar dhe të shtypur vetëm për shkak të identitetit të tyre bullgar,” thuhet në reagimin e MPJ-së bullgare.

Sipas MPJ-së bullgare, ndryshime të tilla ligjore pengojnë zbatimin efektiv dhe të plotë të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut presim të garantojnë të drejta dhe liri të barabarta për të gjithë qytetarët e saj, përfshirë ata që vetë-identifikohen si bullgarë. “I referohet shprehjes së lirë të qëndrimeve, pikëpamjeve dhe bindjeve të tyre historike në kushtet e një shoqërie pluraliste, si dhe mundësinë e krijimit të partive politike, shoqatave dhe qendrave kulturore. Në frymën e strategjisë ‘Një shoqëri për të gjithë’, autoritetet në Maqedoninë e Veriut duhet të sigurojnë kushtet e nevojshme për përfaqësuesit e bashkësive etnike për të mbështetur dhe zhvilluar kulturën e tyre, për të ruajtur elementet themelore të identitetit, traditave dhe trashëgimisë kulturore të tyre. E drejta për bashkim të lirë, tubime paqësore, liria e fjalës dhe liria e besimit duhet të garantohet për të gjithë qytetarët e vendit”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Jashtme bullgare.

Ndryshimet në Ligjin për shoqata, të cilat u mbështetën edhe nga përfaqësuesit e qeverisë, i dorëzoi VMRO-DPMNE-ja opozitare, pas hapjes së shoqatave dhe klubeve bullgare në Maqedoninë e Veriut që mbajnë emra të figurave të diskutueshme historike. Propozimin e opozitës e përkrahën edhe deputetët e qeverisë. Pro ndryshimeve votuan 67 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Më pas, LSDM-ja në pushtet dorëzoi ndryshime në Ligjin për partitë, me tekst pothuajse identik me Ligjin për shoqata, të cilat dënojnë fashizmin. Edhe për këto ndryshime “për” votuan 67 deputetë. Ndryshimet në ligjin për shoqatat parashikojnë që organizatat me emra të diskutueshëm të mos mund të regjistrohen në të ardhmen. Me ndryshimet ligjore, partive politike u lihet një afat prej tre muajsh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve, për të harmonizuar emrin, simbolet, programin, statutin dhe objektivat, me përcaktimet e këtij ligji.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu