Sonte nis muaji i Ramazanit, besimtarët myslimanë do të falin teravinë e parë

Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut njofton se Muaji i Ramazanit fillon më 19 shkurt (e enjte). Namazi i parë i teravisë do të falet sonte, më 18 shkurt (e mërkurë). Besimtarët myslimanë, që janë në gjendje të mirë psikofizike, për 30 ditët e ardhshme do të agjërojnë.

Në Shkup, taravia e parë do të fillojë në ora 18:43, ndërsa namazet e tjera të taravisë do të mbahen dy orë pas iftarit. Namazi i sabahut gjatë muajit të Ramazanit do të falet 30 minuta pas imsakut.

Gjatë Muajit të Ramazanit besimtarët myslimanë agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit si shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit. Agjërimi është një nga pesë shtyllat e fesë islame. Sipas besimit islam, ky muaj është i veçantë pasi në të filloi shpallja e Kuranit, në natën e bekuar të Kadrit.

Nga BFI njoftojnë se myftinitë, xhamitë dhe institucionet edukativo-arsimore do të zhvillojnë aktivitetet fetare sipas programit të Rijasetit.

Pas përfundimit të Ramazanit, Bajrami i Fitrit festohet të premten, më 20 mars.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu