Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme, me fillim nga ora 19:00, pas vendimit të marrë në Kryesi. Në rend dite janë disa pika. Deputetët pritet të vendosin për përbërjen dhe drejtimin e Komisioneve Parlamentare, raporton A2CNN.
Sipas ndarjes së dakorduar, Lëvizja Vetëvendosje do të udhëheqë nëntë komisione, PDK tri, LDK dy, Lista Serbe një dhe një komision do t’i takojë Grupit Multietnik.
Po ashtu, do të shqyrtohet kërkesa e qeverisë për ndarjen buxhetore për muajin mars, sipas formulës 1/12, si dhe rregullorja e punës së Qeverisë.
Pjesë e agjendës është edhe një rezolutë që lidhet me procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Para seancës pritet një takim i përfaqësuesve të grupeve parlamentare.
Kujtojmë që dje u konstitua Kuvendi i ri i Kosovës, ku u zgjodh kryeparlamentare Albulena Haxhiu, dhe u votua për formimin e qeverisë “Kurti 3”.










