Spasovski: Lajmet për kidnapime i lëshojnë struktura politike

Ministria e Punëve të Brendshme përgënjeshtron të gjithë lajmet mbi raste të kidnapimit ose vrasjeve të njerëzve për tua shitur organet. Ministri i brendshëm Oliver Spasovski, doli në një konferencë për mediat në të cilat i hodhi poshtë të gjithë spekulimet që ditëve të fundit, po i shqetësonin qytetarët në rrjetet sociale.

Oliver Spasovski, ministër i brendshëm

“I demantoj ashpër spekulimet për persona të zhdukur. I hedh poshtë spekulimet për kidnapues ose për shitje të organeve njerëzore. Në Maqedoni nuk ka asnjë rast të vrasjes që ka rezultuar me heqjen e organeve. Apeloj deri tek qytetarët që të mos bien pre e këtyre gënjeshtrave dhe pohimeve se po rritet numri i personave të zhdukur”

Spasovski shpjegoi se gjatë vitit 2018, në MPB ka patur 370 denoncime për njerëz të zhdukur, ndërsa në vitin 2014, ka patur 574. Ai thotë se shpesh ka ndodhur që familjarët ti denoncojnë zhdukjet e të afërmve të tyre, dhe pastaj ti kenë gjetur, dhe për këtë shkak edhe është rritur numri i të zhdukurve. Spasovski tha se ata madje nuk e presin as afatin prej 24 orësh për të kërkuar ndonjë person të zhdukur, pasi në momentin që marrin denoncimin, nisin menjëherë hetimet.

Oliver Spasovski, ministër i brendshëm

“Gjetja e personave të zhdukur është 94 për qind. Si një prind, bashkëndjej me çdo prind që i është zhdukur fëmija. Dua tu siguroj se këto hetime zhvillohen me seriozitetin më të lartë, por për të patur rezultate të sigurta, nevojitet më shumë kohë. Por, kjo assesi nuk do të thotë se ne nuk e kemi dert. Ata që përhapin lajme të rrejshme, duhet ta dijnë se nuk po i ndihmojnë askujt me këtë gjest”

I pyetur se kush i shpërndan lajmet e rrejshme, ministri tha se është e dukshme se pas kësaj qëndron një strukturë e njerëzve të cilët shpërndajnë informacioneve për nevoja politike, por Spasovski akuzoi edhe media dhe gazetarë që tha se nuk e kanë parim informacionin, por senzacionin.

Policia u sygjeroi qytetarëve që kanë familjarë të zhdukur, që të bashkëpunojnë me policinë maksimalisht, pa fshehur asnjë informacion për të zhdukurin. Për gjendjen emocionale, planet për jetë, ose kontaktet me persona të caktuar. MPB u apeloi qytetarëve edhe që të mos i lejnë vetë personat me probleme shëndetësore./Shenja.tv


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu