Specialja refuzon që ta lirojë Thaçin përkohësisht, pritet vendimi edhe për të tjerët

Në Gjykatën Speciale në Hagë sot është mbajtur seanca e radhës paragjyqësore ndaj ish-krerëve politikë e ushtarakë të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Në këtë seancë është diskutuar edhe për kërkesat për lirim të përkohshëm. Prokurorja e ZPS-së ka thënë se tashmë i kanë kthyer përgjigje ekipit mbrojtës të presidentit Hashim Thaçi në kërkesën që ai të lirohet përkohësisht.

“Sa i takon mocioneve paraprake ne nuk shikojmë ndonjë bazë sa i takon shtyrjes. Sa i takon kërkesës për mocionet për lirim të përkohshëm, prokuroria është kundër këtyre kërkesave, dhe fuqimisht ne e kemi parashtruar dje përgjigjen tonë sa i përket z. Thaçi, e kemi dhënë këtë përgjigje dje brenda afatit”, ka thënë ajo. Të njëjtin vendim thotë se do ta marrin edhe për kërkesën e njëjtë që ka bërë edhe ekipi i Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Numrin e fjalëve të vëllimit të materialit, të njëjtën gjë do të bëjmë sot për zotin Selimi dhe Krasniqi, të gjitha palët njoftojhen për rëndësinë për parashtrimet e plota”, ka thënë prokurorja.

Mbrojtja e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, edhe një herë ka kërkuar që gjykimi kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të fillojë pas 18 muajsh, përkatësisht në verë të vitit 2022.

“Më shumë se 18 muaj duhen për të zhvilluar hetime në këtë rast. Ky është realiteti”, tha avokati i Hashim Thaçit, David Hooper, në një konferencë statusore të mbajtur të enjten në Dhomat e Specializuara në Hagë. Prokuroria ka deklaruar se deri më tani i ka dorëzuar mbrojtjes më shumë se 1,300 materiale. Prokuroria, po ashtu, tha se në muajin korrik mund të përfundojnë hetimet dhe në muajin shtator të vitit 2021 të nisë procesi gjyqësor.

Edhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, deklaroi se periudha prej 18 muajsh është e shkurtër. Emmerson mendon se fillimi i gjykimit në këtë rast ndoshta do të duhej të fillonte në fund të vitit 2022, ose në fillim të vitit 2023, dhe se kjo do të ndikohet nga pandemia dhe vaksinimi kundër COVID-19.

Gjykatësi Nicolas Guillou, tha se asnjë vendim nuk do të merret të enjten në lidhje me datën e fillimit të gjyqit, por ai tha se do t’i marrë parasysh të gjitha pozicionet e mësipërme dhe se kjo do të diskutohet në konferencat e ardhshme statusore.

Konferenca e ardhshme statusore u propozua që të mbahet në janar. Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes, e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve ndërmjet palëve. Në këtë konferencë, Prokuroria tregon çfarë provash disponon.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu