Spektakël me flamuj e parashutistë mbi qiellin e Prishtinës

Në kuadër të aktiviteteve festive, nesër mbi qiellin e Prishtinës do të fluturojnë parashutistë kosovarë me flamuj të Kosovës.

Federata Aeronautike e Kosovës, me parashutistët e saj, nesër do të performojë mbi qiellin e Prishtinës për dhjetëvjetorin e pavarësisë.

Ky fluturim i tyre mësohet se po bëhet me kërkesë të Këshillit Organizativ për Shënimin e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

Fluturimin e nesërm të tyre e ka konfirmuar edhe Adil Behramaj nga Këshilli Organizativ.

“Po, nesër nga ora 12:00 – 13:00, parashutistët e Federatës Aeronautike pritet të fluturojnë mbi Prishtinë, konkretisht mbi zonën e gjerë të qendrës së kryeqytetit. Lejen nga KFOR-i e kanë siguruar dhe parashikimi i motit për nesër është i pranueshëm, prandaj besojmë që edhe fluturimi i tyre do të realizohet”, ka thënë Behramaj për Gazetën Express.

Gjithashtu, Behramaj ka thënë se nesër do të vazhdojnë edhe dekorimet e mbetura, derisa Komiteti Olimpik i Kosovës, në sheshin “Edit Durham” – amfiteatrin e hapur te hoteli “Grand”, do ta bëjë edhe hapjen e Festivalit Olimpik PyongChang 2018, ku do të hapet edhe fusha sintetike për patinazh, hokej dhe karlling, të cilat janë sporte të reja në Kosovë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu