Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në Shkup tha se nuk ka tregues për kërcënime nga Rusia ndaj asnjë shteti të NATO-s, shkruan TV21. I pari i NATO-s falënderoi Maqedoninë e Veriut për ndihmën e vazhdueshme ndaj Ukrainës, ndërkaq tha se me anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, Putin ka pësuar disfatë strategjike.
“Duhet të kujtojmë se një ndër arsyet se pse presidenti Putin shkoi në luftë kundër Ukrainës, ishte se nuk donte që Ukraina t’i bashkëngjitet Aleancës, deshi më shumë, gjegjësisht deshi që NATO të garantojë se nuk do të ketë zgjerim të NATO-s, deshi që NATO të largojë forcat nga pjesa lindore e Aleancës. Putini po e merr të kundërtën, po merr më tepër NATO, prezencë më të madhe të NATO-s në pjesën lindore të Aleancës dhe tani dy anëtare të reja të NATO-s, Finlanda dhe Suedia. Kështu që kjo është një disfatë e madhe strategjike e presidentit Putin dhe tregon sërish që ishte një gabim i madh pushtimi i Ukrainës dhe unë e mirëpres ndihmën e Maqedonisë së Veriut dhe aleatëve të NATO-s, në ndihmën e vazhdueshme për Ukrainën”, tha Stoltenberg.