STUDIM/ Dita botërore e librit, Sa lexojnë të rinjtë sot

Studim nga Donika Bakiu 

Sot është Dita Botërore e Librit. Zgjedhja e datës 23 prill lidhet me simbolikën që ka kjo datë për letërsinë botërore, pasi në këtë datë në vitin 1616, vdiqën Servantes, Shekspiri dhe Garcilaso de la Vega, i mbiquajtur Inca. 23 prilli shënon edhe lindjen ose vdekjen e shkrimtarëve të tjerë, si Maurice Druon, K.Laxness, Vladimir Nabokov, Joseph Pla dhe Manuel Mejia Vallejo. Ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të Librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. 23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor.Disa studime që kemi bërë më parë , të rinjtë lexojnë shumë pak ose vetëm kur profesorët ua bëjnë të detyruar , vetëm një numër i vogël lexon për qejf , për ta ushqyer trurin . Mund të themi se tani ka një teknologji që është shumë e avancuar, interaktive dhe problematike, njerëzit nuk ndajnë kohë vetëm për leximin. Kur u pyetën përse nuk lexojnë më shumë apo fare, ata vetëm u përgjigjen me “Unë kam shumë punë , nuk kam kohë ” .Por e vërteta është se të gjithë kemi një gjysmë orë ose më shumë të lirë në ditë , nëse nuk do të kalojmë kohë duke luajtur lojra ose duke biseduar me miqtë ose duke shfletuar faqe në internet por në atë periudhë të lexojmë romane ose libra të tjerë . Në maj të vitit 2017-të publikuam studimin me titull : ‘’Libri dhe të rinjtë, sa lexojnë të rinjtë në Maqedoni?’’ , studentët lexonin më shumë në kohën e provimeve . Profesorët u shprehën se janë të pakënaqur nga puna studimore e të rinjve. Disa profesorë për të rinjtë thane se janë të ndarë në dy grupe: në të rinj që lexojnë dhe në të rinj që nuk lexojnë kurse disa profesorë ‘’fajin’’ i’a hodhën zhvillimit të hovshëm të teknologjisë. Për këtë studim kam marrë në pyetje : profesorë , studentë , nxënës dhe një grup studiuesish të tjerë ,nga Maqedonia e Veriut , Kosova dhe Shqipëria mendimet e tyre janë në studim. Dua të shpreh mirënjohjen time për të gjithë njerëzit që më kanë ndihmuar dhe shoqëruar gjatë gjithë këtij rrugëtimi .Ky studim do të ishte i pamundur pa ndihmën dhe përkushtimin e të gjithë këtyre emrave që janë në studim .Më keni dhënë mbështetjen e vazhdueshme, falë jush u bë i mundur finalizimi me sukses i këtij studimi .Ju jam mirënjohëse dhe ju falemenderoj të gjithëve! Elona Agolli thotë:’’Është përgjegjësi e madhe për mua të dal në një konkluzion duke ju referuar anketimeve të mediave apo shifrave të institucioneve zyrtare . Nga çfarë dëgjoj e bisedoj , do të mund të thoja me dëshpërim që nuk lexohet si disa dekada të shkuara ose lexohen më së shumti autorë të huaj , best sellerit e kohës , të përkthyer jo kurdoherë mirë , apo nga mjeshtër njohës pikësëpari të pasurisë sonë gjuhësore . Të rinj të shkolluar jashtë Shqipërisë ose edhe brenda por në institucione të dijes ku parësore janë gjuhë si anglishtja apo edhe frengjishtja , parapelqëjnë të lexojnë në gjuhë të huaj . Klasikët e letërsisë mendoj që pak njihen e lexohen . Të paktë janë ata që drithërohen nga emocionet që të jep libri i mirë , besoj. Teknologjia është armiku i librit si thotë një aforizëm e Dritëro Agollit: ‘’Televizori dhe interneti, hanë librat si cjapi lakrën.’’Drejtoresha e Bibliotekës ‘’Koço Racin ‘’ Tetovë , Njomza Imeri Ismaili thotë: ‘’Zhvillimi i teknologjisë dhe mjeteve të tjera të internetit kanë ndikuar ndjeshëm në rrënien drastike të interesit për librin në veçanti dhe për leximin në përgjithësi. Megjithatë, përveç kësaj, mund të themi me plot bindje se dëshira dhe vullneti i mirë për të lexuar, akoma mbahet gjallë nga disa, që hëpërhë na bën që të jemi të kënaqur. Të rinjtë, veçmas nxënësit e shkollave të mesme më tepër përqëndrohen në leximin e lektyrave shkollore, të cilat I kanë me planprogramin e tyre shkollorë. Por, gjithmonë ekziston një numër tjetër i konsiderueshëm që librin e kanë pasion, shtysë dhe ushqim shpirtërorë. Ky grup tjetër lexuesish më tepër përqëndrohet në lexime best-seller, tituj të rinj që janë të shitura me miliona kopje në mbarë botën, por, nuk mugojnë edhe të tillë që akoma kërkojnë klasikët botëror, veprat e tyre që janë lexuar dhe do vazhdojnë të lexohen në të ardhmen.Nga një studim i fundit i bërë nga institutcionet e ndryshme, është verifikuar që veprat psikologjike, pra ata me tematikë psikologjike, kohëve të fundit janë më të kërkuara dhe më tërheqëse për lexuesit.Streset e shumta, ankthi, jeta mjaft dinamike është si faktor kryesor që ata t’a ndjejnë veten të ngulfatur nga bota që i rrethon, andaj shpëtimin e tyre e shohin pikërisht në këta vepra psikologjike,që në mënyrë mjaft të profesionalizuar u mundësojnë këtyre për përballimin dhe shmangijen e të njëjtave.Pra, përsëri, me plot siguri mund të themi që, edhe përkundrejt zhvillimit të teknologjisë, përsëri libri vazhdon të preferohet dhe të kërkohet nga lexuesit, në këtë rast edhe nga të rinjtë.’’ Profesoreshë Valbona Çiço Shabani nga Gjimnazi “ 7 Marsi” Tetovë thotë:‘’Ajo që konstatohet është se rrjetet sociale e kanë eklipsuar shumë jetën e të rinjve, në çdo aspekt. Sot lexohet pak, por …lexohet. Krahas romaneve që trajtojnë një temë dashurie, kam vënë re se të rinjtë tërhiqen shumë edhe nga librat psikologjikë. Shpesh të rinjve, sidomos adoleshentëve, ju mungon një bashkëbisedues i sugurtë, i sinqertë dhe bindës, për të biseduar rreth shumë çudirave që po ndodhin rreth tyre, te ata, brenda tyre, fizikisht dhe psiqikisht. Ata kanë nevojë për orientim.’’ Profesoresha Valdeta Abdullahi në Sh.M.K. , Gjoce Stojçeski , Tetovë thotë:’’Më duket sikur edhe librin e kanë bë si trend i veshjeve. Po shoh, se më shumë preferohen librat bestseller, librat që lexohen me një frymë ose ” libra liminadë” ( shprehje e shoqërisë tonë). Lexuesi ( flas për shqiptarët e Maqedonisë) pak është i interesuar për leximin ” traditë”, e thash edhe më lartë edhe ata pak që lexojnë lexojnë libra të trendit, ndërsa i ikin librit klasik. Në bisedë për librin, ata kanë lexuar të gjitha librat e D. Steel, por letërsinë e vjetër greke, Shekspiri, Ecoja, Sabato kanë mbetur vetëm te lexuesi xheloz i librit.’’ ‘’Nëse kërkoni të përgjigjem si mësimdhënëse do kisha thënë po, nxënësit e mi që kam pasur e donin librin, leximin nga që i kushtoja shumë rëndësi dhe isha shumë kërkuese në këtë aspekt. Ende ka nxënës që më shkruajnë për ndonjë libër dhe ndihem me fat që u asocoj në një ‘bibliotekë’. Me vite kam punuar në librarinë Albas dhe mund të them se kam parë ta vizitojnë më shumë nxënës, se studentë .Nuk di c’ndodhë në fazën e studimeve , por distancat, shkëputjet ndodhin atëhere. Si ish- studente e gjuhës dhe letërsisë nuk mundem ta kuptoj, ndoshta nga që drejtimi im lidhej ngushtë me librat. Nuk po flas vetëm për beletristikën, po për librin në përgjithësi i cilësdo fushë qoftë .Ishte një ndarje ndonjëherë e përhershme për disa, për disa si një strehë që i ktheheshin më vonë. Sa fatlum janë ata që i janë kthyer. Librat që lexoheshin më shumë ishin ata konspirativë , ndërsa më (as)pak poezia. Rinia e sotme nuk i do librat me imagjinatë , fantazi, ndërsa unë për këtë arsye dhe kam lexuar në moshën e tyre. Kam përshtypjen se dikush ia ka thyer krahët fantazisë së tyre që në fëmijëri. Që ta mbani gjallë , dhuroni një libër në vend të telefonit të markës së fundit. ‘’thotë ,Xhemazije Rizvani profesoreshë e gjuhë dhe letërsisë shqipe. ‘’Çdo ditë e më shumë po shohim se si letrat po zëvendësohen me teknologjinë duke ja humbur plotësisht vlerën librit. Dikur zinte vendin me të shtrenjtë, sot pluhuroset nëpër rafte. Këtë fenomen e shoh çdo ditë në sytë e nxënësve me interes të vogël për të lexuar. E them këtë pasi pjesa më e madhe e tyre lexojnë vetëm gjatë obligimit që u jepet në orën e bisedës letrare dhe pakica preferojnë të lexojnë më shumë nga çfarë janë te obliguar. Kohën e fundit përpiqemi që t’i përkushtohemi më shumë librit prandaj edhe në institucion një rëndësi i japim edhe orës letrare për të njohur më nga afër dëshirat dhe shijet e nxënësve. Kështu është vërejtur që gjithmonë frekuentohen vepra erotike ose të dashurisë, të ndikuar nga mosha. Të pa perkufizuar për autorët por të anuar më shumë nga botimet e veprave të fundit, duke lënë pas veprat e vjetra për ti lexuar vetëm nga detyrimi i mësimdhënësit nga lista e paraparë për vitin shkollor. Gjithmonë syri i një letrari ndjen keqardhje dhe kërkon më shumë por çdo ditë dëshira për lexim humbet dhe nuk e dimë kush do të jetë objekti i rradhës që do ta zëvendësojë.’’, thotë Liridona Hani profesoreshë në Gjimnazin “ Ibrahim Temo” Strugë. ‘’Të rinjtë lexojnë fare pak, jo mjaftueshëm, duke lënë anash një përqindje shumë të vogël e cila lexon dhe i përkushtohet librave. Por, fatkeqësisht numri më i madh janë vetëm shfletues kopertinash, shfletues të lajmeve gjysmake që u servohen pa ndonjë filter, lexues sipërfaqësor. Nëse flasim për shumicën, librat që ato lexojnë janë libra që i kanë për obligim t’i lexojnë ose libra bestseller, libra ‘të modës’. Që në shkolla duhet të filloj ndryshimi, të zëvendësohen librat e një sistemi të ndryshkur, me libra të mirëfilltë që do rrisin mendimin kritik, do të formësojnë karaktere e do të hapin horizonte të reja’’ thotë Besmira Ibraimi, profesoreshë e gjuhës shqipe, Strugë. Profesoreshë Rovena Vata, nga Universiteti i Arteve , Tiranë thekson ndër të tjera: ‘’Interesi sot për librin nga të rinjtë fatkeqësisht është zbehur dukshëm tek moshat e reja. Adoleshentët shqiptarë duket se nuk e kanë fort dëshirë të lexuarin në përgjithësi. Ndonëse njohin mirë tipet më të reja të celularëve, makinat më të shtrenjta apo tendencat e modës, po t’i pyesësh për autorë librash, që moshatarët e tyre të dikurshëm i dinin në majë të gishtave, zor se të kthejnë përgjigje. Një pjesë e mirë e prindërve bëjnë ç’të mundin, duke i këshilluar, të tjerë i lënë të lirë. Por ajo çka dihet me siguri është se pasojat e kësaj “krize” në marrëdhënien me librin dhe leximin në tërësi, kanë prekur të gjithë brezin. Ato janë të pakthyeshme sa i përket formimit të adoleshentëve, të cilët, pas pak vitesh, do të duhet të jenë të denjë për të mbajtur një pozicion pune. Sigurisht, nuk mungojnë përjashtimet, pasi ka ende shumë të tjerë, që kultivojnë dijet, jo vetëm nga librat e shkollës, por edhe për letërsinë artistike. Fenomeni i braktisjes së librit, sa po vjen e po rritet, kjo pasi të rinjtë, janë më të prirur rreth ‘jetës së qejfit’, gjërave më të thjeshta, duke mos preferuar më leximin dhe librin.Madje, shumë prej tyre, mjafton të bëjnë një kërkim në internet rreth një autori apo vepre të caktuar dhe aty mund të gjejnë informacione pa fund mbi veprën, kjo falë zhvillimit të teknologjisë. Është harruar aroma e fletëve të librave dhe është zëvendësuar me librat online, që nuk e kanë kurrsesi, fuqinë dhe ndikimin, që ka në mendjen e dikujt, një ‘libër i vërtetë’. Për të mos folur për bibliotekat, që as frekuentohen më si më parë. Nëse mund të bëjmë një përllogaritje të thjeshtë, do të vëmë re se: Nëse lekët që lënë nëpër kafene të rinjtë e ditëve të sotme, do të përdoreshin për të blerë libra, do të kishim si rrjedhojë: më shumë lexues, bashkëbisedues më të mirë dhe një rini më më shumë vizion.’’ Profesoresha Helena Grillo nga Universiteti ‘’Aleksandër Moisiu’’Durrës thotë:’’ ‘’Diskutimet më të shumta në rrethin e universitarëve sot janë problematikat në infrastrukturën e universiteteve, kurrikulave, literaturës së vlefshme në bibliotekat universitare, të cilat ndikojnë në formimin e përgjithshëm të studentëve e vlefshmërinë e diplomave. Shpesh diskutohet se moria e vërshimi i informacioneve vë në dilemë lexuesit, studentët për përzgjedhjen e literaturës së vlefshme, apo të dobishme për ta. Në këtë hulumtim jemi marrë vetëm me bashkësinë e të rinjve universitarë. Ka pasur mjaft interpretime mbi rolin e leximit dhe rëndësinë e tij në formimin e individit, jo vetëm universitar. Leximi krahas kënaqësisë estetike ka dhe dobi në formimin qytetar e profesional. Shpesh pohohet se nuk është e mjaftueshme koha e leximit, apo sasia e përzgjedhur nga studentët për t’i ndihmuar ata të ndërtojnë e argumentojmë teza të ndryshme. Kemi hetuar studentë të degëve të ndryshme në fakultetet e Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës përmes një pyetësori ku mateshin: koha e leximit / sasia në orë, shpejtësia e leximit, numri i faqeve ditore, mujore, lloji i literaturës, zgjedhja, burimi. Nëpërmjet një pyetësori analizojmë fillimisht llojin e burimeve që ndihmojnë studentët dhe sipas pritshmërisë studentë të gjuhës e letërsisë (Fakulteti i Edukimit) lexojnë letërsi artistike, autorë që përfshihen në sylabuset e kurseve përkatëse, shprehur në përqindje thuajse këta zënë 80% të studentëve. Nuk jemi marrë me emra të vecantë autorësh, apo klasifikimesh të llojeve; letërsi e huaj, apo e traditës duke dashur të hulumtojmë vetëm në leximin si proces dhe ndikimin e tij në formimin e përgjithshëm të individit dhe aftësinë komunikuese të tij. Gjuha është një sistem komunikimi në shërbim të individit, i cili parashtron kërkesa, jep sqarime, shpreh ide, i diskuton në mjedisin e vet social për të shprehur individualitetin e tij. La Bryeri thoshte : “Ndërmjet gjithë shprehjeve të ndryshme që mund të japin një mendim tonin, vetëm njëra është e mirë”. Në gjuhën e letërsisë kjo përbën stilin e shkrimtarit, zgjedhjen e fjalës e latimin e saj, vecoritë individuale që e bëjnë një shkrimtar të dallueshëm nga tjetri. Shkrimtarët japin pasqyrën më të saktë dhe qartë të një gjuhe. Letërsia ushtron ndikim të ndjeshëm gjuhësor në jetën e shoqërisë. Në një fazë tjetër interpretimesh, të dhënat e mbledhura nga ky humumtim do i përdorim për analiza të sjelljeve komunikative të studentëve të marrë në vëzhgim. Një e dhënë interesante për interpretim, sidomos për studentët e gjuhës e letërsisë është se 5% e tyre pohojnë se i kthehen nëpërmjet rileximit veprave që vijnë mes një optike tjetër interpretative, krahasuar me njohjen e tyre në programin e shkollës së mesme. Sipas P. Levo dhe Zh. Lekomt: Në një tekst përmbahen kuptime dhe nuancë kuptimesh nga më të ndryshmit, që nuk është e domosdoshme të spikaten që në leximin e parë, qoftë edhe të vëmendshëm. Një autor që të jetojë apo mbijetojë brenda traditës letrare ka nevojë për rileximin, i cili shpesh përdoret si konfirmim apo përjashtim i autorit brenda letërsisë së traditës. Rreth 20% e studentëve (Fakuleti Ekonomik, Teknologji Informacioni, Studime Profesionale), pohojnë se lexojnë vetëm në sezonin veror letërsi artistike dhe jo më shumë se 2 libra. Një pjesë e të anketuarve pohojnë se rreth 2 orë lexojnë artikuj nga portale të ndryshme në internet, kohë kjo shumë më e madhe se koha që harxhojnë me leximin nëpërmjet librit artistik ose jo. Nga hetimi i detyrave të kursit, kryesisht në kursin: shkrim akademik vërejmë se leximi i informacioneve në portale i ndihmon studentët e Fakultetit Ekonomik e Juridik në mbledhjen e shfrytëzimin e të dhënave e fakteve interpretative, madje dhe në koherencën e përditësimin e problematikave me shembuj të kohëve të fundit, pavarësisht gabimeve gjuhësore në ndërtimin sintaksor e drejtshkrim. Studentët nga hetimi pohojnë se nuk kanë orare të përcaktuara për lexim, madje as normë ditore apo mujore. Ky lloj mosprogramimi tregon se kemi shumë për të bërë për disiplinimin e ndërgjegjësimin e tyre të mëtejshëm për procesin e leximit në vetvete. Nisma studentore mbi kurse leximi apo diskutimi në rubrika: “Ne lexojmë së bashku”, “Takim me shkrimtarin” nga stafi i Bibliotekës Universitare të Universitetit “ Aleksandër Moisiu” Durrës, apo konkursi “ Eseja më e mirë” i shërbejnë më së miri si nxitjes së studentëve drejt leximit, ashtu dhe trajtimit të procesit të leximit në funksion të formimit të përgjithshëm individual dhe gjuhësor.’’ Profesoresha Emine Shabani nga Fakulteti Filologjik,UT , thotë:‘’Sa lexojnë të rinjtë sot ! Është një çështje shumë e rëndësishme, është një debat dhe brengë e përgjithshme, jo vetëm te ne por edhe më gjerë. Lehtësia që na ka ofruar interneti dhe libri elektronik është për tu përshëndetur, por do parafrazoj këtu filozofin, semiologun dhe shkrimtarin italian Umberto Eko i cili thotë përparësia e librit fizik është se kur e merr në dorë atë ndjehesh më komod me shfletimin e faqeve dhe zhurmën e tyre, me rezonancën që krijojnë ata. Libri elektronik ka përparësinë se mund të ngarkojmë në një tabletë elektronike dhjetëra libra që është më praktik për ta marrë me vete kudo që shkojmë, të cilën me librin fizik do të kishte qenë e vështirë, sepse nuk është njësoj të bartim pesëdhjetë libra në një çantë dhe po aq të tilla në një tabletë 200-300 gramësh.Të rinjtë lexojnë dhe kjo fjalë duhet të kuptohet relativisht. Kemi studentë që lexojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe të tillë që lexojnë sepse janë të kushtëzuar për provime. Këtu do t’i kisha veçuar ata që janë librofilë dhe lexues mesatarë. Çfarë preferoj unë të lexoj ! Nuk e kufizoj veten në një fushë apo disiplinë shkencore, lexoj gjithçka sepse kam një kureshtje të madhe për të gjitha shkencat. Pavarësisht profesionit si albanologe kjo jo që nuk më kufizon por më obligon të marr njohuri nga të gjitha shkencat humane por edhe ato ekzakte. Në mënyrë befasuese dhe duke lexuar nga të gjitha shkencat vërejmë se, ata jo vetëm që nuk janë larg njëra-tjetrës por e shohim se afrohen shumë dhe janë të lidhura me njëra-tjetrën ! Nuk mund ta hulumtojmë lashtësinë e gjuhës sonë vetëm duke lexuar libra me studime gjuhësore, pa hulumtuar periudha të ndryshme historike, zbulime arkeologjike, libra filozofikë, etj. Nga thënia e Lajbnicit, ‘’N.q.s, doni të studioni shkencën para Krishtit, duhet ta mësoni ilirishten e vjetër’’ (natyrisht dialektet e saj. Ne e dimë se Leibnitz është ndër shkencëtarë e parët që u interesua për gjuhën shqipe, përveç atyre indo-evropiane. Nga emrat e mëdhenj të shkencës, si Leibnitz, Maksmilian Lamberti, Norbert Jokli, Gustav Petersen, Georg von Han, Eqrem Çabej, Dozoni, etj, ne vazhdojmë të hulumtojmë dhe ta vendosim një gur sado të vogël në kështjellën e albanologjisë por edhe të letërsisë, historisë, arkeologjisë dhe jetës e mbijetesës së popullit shqiptar, ndër shekuj. Nga ajo që thashë më lartë se jam kureshtare dhe lexoj në të gjitha shkencat, e sidomos ato humane, unë para së gjithash vendos prioritete dhe /përparësia ime vendoset te gjithçka që ka të bëjë me gjuhën kulturën dhe lashtësinë e civilizimit shqiptar dhe atë të huaj, andaj po shënoj disa tituj : Cratylus (Kratilus) nga Platoni, veprat e Karl Gustav Jungut, Frojdit, Alfred Adler, Henry Bergson, Shopenhauer, Imanuel Kant, Aristotelit, Kenneth Harl, Kenneth Kitchen, Jordan Petreson, Slavoj Zhizhek, Gjergj Fishta, Faik Konica, Eskili, Sofokliu, Euripidi, Seneka, Virgjili, Mircea Eliade, Victor Turner, Elena Kocaqi, Graham Hanckok, Leibnitz, Hegel, Sartre, Georg Orëell, Oldous Huxley, Hanna Arendt, Apollodori, Straboni, Plini, Herodoti, Dikti i Kretës, Dariusi i Frigjisë, Hesiodi, James Frazer, Jean Piaget, Marie Freud, Nietzsche, Ludëig Ëittgenstein, Martin Heideger, Thomas Aquinas, Russo, Voltaire, Melania Klein, Jaques Lacan, Julia Kristeva, Harold Blumm, Petro Zheji, Përparim Kabo, etj. Zulkade Nuhiu ,studente , UT :Kur flasim për librat ne krijojmë botën e përjetësie brenda shpirtit tonë. Librat që më së shumti me pëlqejnë te lexoj janë ato libra që kane tematike filozofike, librat për meditim dhe ndonjëherë edhe fantastik ( përrallat). Nuk them se lexoj shumë mirëpo ne muaj mund te lexoj 4/5 libra rrallë herë mund te lexoj edhe libra që janë me poezi me tematika te ndryshme, Do t’iu preferoja të tjerëve të lexonin Osho: Thirrje nga pafundësia, Joga shkenca e shpirtit, Eckhart Tolle : Një tokë e re , Fuqia e së tashmes.Albineta Alija studente, UT: Sa libra lexoni? Asnjëherë nuk i kam numëruar se sa libra kam lexuar gjatë vitit sepse më ndodhë të lexoj dy libra përnjëherësh, d.m.th sa më bezdiset njëri e kap tjetrin . Por mendoj se 50- 60 libra ndoshta lexoj gjatë vitit. Cilët libra ? Me çfarë tematike? Të gjitha zhanret por nga njëherë më kap një fazë apo disponim që të lexoj vetëm poezi ,nga njëherë vetëm tregime…romane . Pra të gjitha zhanret. Por ajo që më pëlqen më së shumti ta lexoj janë poezitë me rima . Gjithashtu më falin shumë kënaqësi edhe librat shkencore . Çfarë preferoni të lexojnë të tjerët? Gjithsecili ka shijen e vet . Por ajo që do preferoja të lexojnë më shumë të rinjtë janë veprat shkencore. Gjithashtu të lexojnë më shumë kritikë letrare sepse do përfitojnë shumë dhe do aftësohen që gjatë leximit të jenë gjurmues . Nadire Habibi studente ,UT: Në muaj lexoj përafërsisht 25 libra. Preferoj të lexoj romane me tematike: historike, shkencore, psikologjike, filozofike, filologjike etj. Nuk lexoj veprat të komercializuara, ngase nuk më pëlqejnë.Disa nga veprat e preferuara janë: ” Leximtari ” Bernard Shclink,” Princi i vogel ” Antonie de Saint, ” Verberi ” dhe ” Tjetri si unë ” J. Saramago, ” Bel Ami ” Ge Di Moppasan,” Stina e ujkut ” dhe ” Nudo ” Ridvan Dibra,” Duke pritur Godonë ” Samuel Becket,” Rrëfenja e shërbetores ” Margaret Atëood ” Letër babait ” Franc Kafka.Nuk kam ndonjë tematik të preferuar, si atë historik, filozofik-psikologjik, aventurier. Në muaj 3/4 disa me poezi .Xha Gorio -Honore de Balzak ,Keshtjella -Ismail Kadare,Aksidenti- Ismail Kadare,Lumi i Vdekur -Jakov Xoxa ,Hasta la Vista -Petro Marko, Poezi të poetit gjerman Heinrich Heine, etj .‘’Gjenerata ime konkretisht është më e ndikuar nga zhanri i romanticitetit, nga autorët si Daniele Steel, Nicholas Sparks por edhe autori shqiptar Albatros Rexhaj. Romanet e dashurisë, ndoshta edhe na përshtaten me periudhën që ne kalojmë, pubertetin dhe ndjenjat na ndryshojnë ditë prej dite, po e gjejmë ndonjëherë veten aty. Personalisht autorë të preferuar i kam Ernest Heminguej dhe Friedrich Nietzsche, ku më pëlqejnë tepër vlerësimet e tij se si mund të ec njerëzimi, apo ndryshe edhe teoritë për të vërtetën dhe moralin tonë, kurse tek Heminguej më pëlqen stili i shkrimit, ai me fjalët e tij dhe me stilin unik shpreh ca botëkuptime të veta në mënyrën më të përsosur. Sot lektyrave tona shkollore nuk u jepet aq rëndësi, pasiqë të them të drejtën në ndonjë mënyrë na është bezdisur zhanri historik i librave edhe përkthimet e rënda që janë me fjalë të pakuptueshme edhe mënyra se si shkruhen’’ shprehet Dea Palloshi-nxënëse në Gjimnazin e Tetovës ‘’Kiril Pejçinoviq’’. ‘’Unë,e vetmuara në një botë librash. Jam rritur duke lexuar vazhdimisht dhe në shikimet e mija fëmijërore ndaj botës kam menduar se nuk jam e vetmja e lindur në faqet e librave. Ndjehem e vetmuar pasi mua më është vënë nofka,se si një vajzë që ka talent shkrimin,jam e vetmja që ka kohë leximi dhe pjesa më e keqe është fakti se mendimi që rrethi im ka mbi leximin është se domosdoshmërisht duhet të jesh i talentuar që të lexosh. Por leximi në të vërtetë është ndjenjë e jo talent kurse unë,duke marrë parasysh revoltën që rrethi im ka kundrejtë librave,vendosa që duke filluar nga fëmijët t’u dërgoj fragmente e poezi leximi që ata të kenë njohuri mbi të bukurën letërsi-u bazova në mungesën e revistave dhe në pjesën e adoleshentëve,duke parë se interesi është në përqindje të dukshme mbi veprat e romancës,vendosa që t’u huazoj libra dhe t’u jap dhuratë nga zhanret që ju pëlqejnë. Rezultati final ishte se ata kërkonin ende më shumë dhe për mua ishte privilegj të dëgjoja fjalë falemenderuese drejtuar meje dhe njerëz që blinin libra. Ndonëse është e paktë,por gjatë zhvillimeve të klubeve të librave,pjesëmarrja ishte totalisht e dobët,por kërkesa duke parë thëniet nëpër rrjete sociale ishte periudhë e gjatë mujore që unë të shihja librin sërish,i cili kishte qenë në huazim nëpër dhjetëra njerëz. Për mua e rëndësishme është që rinia të lexojë,pa marrë parasysh çfarë por të jetë fitimprurëse për sa i përket oratorisë dhe formimeve të mendimeve mbi jetën,’’ thotë Genta Abdiji nxënëse në Gjimnazin e Tetovës ‘’Kiril Pejçinoviq’’. Gentina Abdiji , nxënëse në Gjimnazin ‘’Kiril Pejçinoviq ‘’ , Tetovë thotë :’’Përgjithësisht më pëlqen të lexoj libra! Ato janë një pasuri njohurish, për ne si njerëz, të cilët i posedojmë në shtëpi apo kudoqoftë që gjendemi! Për veten time, nuk zgjedh ndonjë zhanër të librave, lexoj përgjithësisht. Nga këshillat që kam marrë nga më të moshuarit, më kanë udhëzuar ” Lexo ç’ka të të bjerrë në duar, të kesh njohuri nga të gjitha lëmitë, e të jesh e përgatitur përjetë”! Edhe pse jam akoma e re në moshë , dua të tregoj se: kur isha më e vogël, nuk më pëlqente të lexoj aq shumë,mirëpo duke u rritur, mësova t’i dashuroj librat, e fillova të lexoja vazhdimisht! E cek se viteve të fundit kam lexuar mjaft libra. Ku edhe për moshën që kam, kam lexuar më tepër romane, si të autorëve të njohur: Dostojevski,Paolo Koelho, Musso, Albatros Rexhaj, etj. Nuk e di as vet pse kam zgjedhur të lexoj këto autor, ndoshta më ka tërhequr titulli i ndonjë vepreje! Do uroja që të rinjtë të vazhdojnë e ti kundërvihen botës së librave!’’Sipas gazetares Liridona Kuçi e cila thotë :’’Mendoj se interesi për lexim nuk ka humbur, vetëm se tani i gjejmë edhe në platforma tjera librat. Por gjithsesi, vlera e librit klasik nuk humb kurrë! Përzgjedhja e librave është më shumë çështje shijesh personale dhe shijet lidhen me karakterin e njeriut, për çka kanë interes. Varësisht nga shija i përzgjedhim dhe autorët.’’ ‘’Libri kurdoherë dhe në çdo kohë është cilësuar si “miku më i mirë” i njeriut. Në ditët e sotme ajo që të bie në sy kryesisht në arsimin e detyruar 9-vjeçar, nxëneëit priren kryesisht drejt leximit të veprave letrare në zhanërin e prozës. Autorëet me të lexuar apo të pëlqyer janë ato shqiptar, por nuk mungojnë dhe ato të huaj .Autorë shqiptarë janë : Petro Marko, Lasgush Poradeci, Martin Camaj, Mitrush Kuteli , Naim Frashëri etj. Autorë të huaj :Eskili , Euripidi, Mark Tuein, Shiler, H.Hajne , Remark,Heminguej,B.Breht, Molieri.‘’ thotë profesoresha Marilda Begu , nga Shkolla 9-vjeçare”Ibrahim Hima”, Tiranë. Profesor Sejdi Gashi në Institutin Albanologjik të Prishtinës thotë ‘’Të rinjtë dita-ditës vërehet se lexojnë më shumë.Përveç literaturës që lidhet direkt me ta, pra si nxënës apo si studentë shihet se te rinjtë tanë janë të prirur që me shumë të lexojnë libra në gjuhë të huaja, kryesisht ne gjuhën angleze, por edhe në gjuhë të tjera, bie fjala në gjermanisht,frengjisht, italisht etj.Lloji i literaturës që të rinjtë pëlqejnë me shumë është kryesisht letërsia, por edhe shkrimet nga fusha e biznesit, por edhe nga fusha e shoëbizit.Zhvillimi i IT-së ka krijuar hapësira të reja për lexim dhe qasje më të lehtë të informacionit te të gjitha llojeve, për çka në këtë drejtim, të rinjtë tanë shquhen për shkathtësi të veçanta dhe do të thoja se jemi konkurentë seriozë me vendet më të zhvilluara të Botës.’’ Profesoresha Luljeta Isaku në Fakultetin Filologjik , UT , në studimin ‘’Sa lexojnë studentët’ të publikuar në vitin 2014 , në ‘’RILEXIME II’’ ,’ shkruan: ‘’Libri është një mikromodel i kulturës së përgjithshme , ku ruhen të arriturat njerëzore dhe përvoja të gjithëmbarshme shekullore e njerëzimit .Aty ruhet kujtesa dhe imagjinata e njeriut , e cila përcillet te brezat e ardhshëm .Leximi është jeta e librit .Fati tij ndërlidhet plotësisht me leximin .Ai është fenomen mjaft delikat dhe mjaft i komplikuar antropologjik , i cili ruan përjetësisht gjurmën njerëzore .Libri krijohet nga lexuesi .’’ Profesoresha në fjalë solli këto përfundime : ‘’Leximi dhe shkrimi bëhen nëpërmjet mjeteve ndihmëse ,sikurse janë teknika kompjuteristike dhe televizori që mund ta kontaminojnë fjalën dhe të sjellin deri te zhdukja e saj .Tani gjithnjë e më shumë bie rëndësia e fjalës së shkruar , që zëvendësohet me komunikimin elektronik . Pra ‘’largimi ‘’nga të lexuarit e veprave artistike bëhet gjithnjë e më i madh .’’
PËRFUNDIME
Lexueshmëria e librit në kohën e internetit dhe digjitalizimit, mund të thuhet se është në një lloj krize globale ,është në garë me teknologjinë, e cila, sikurse dihet ka vrap marramendës. Mund të themi se është’’ harruar ‘’aroma e fletëve të librave dhe është zëvendësuar me librat online, që nuk e kanë kurrsesi, fuqinë dhe ndikimin, që ka në mendjen e dikujt, një ‘libër i vërtetë’. Era e letrës së një libri nuk mund të krahasohen kurrë me shtypjen e një butoni . Një nga të anketuarit nuk kishte lexuar asnjë libër brenda një viti, madje edhe një libër në interenet nuk e kishte lexuar. Bibliotekat e universiteteve zakonisht i frekuentojnë vetëm para provimeve .Por nuk mund të themi se nuk ka të rinj që lexojnë , janë një numër i vogël ndoshta dhe e preferojnë të lexojnë çdo ditë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu