Studiuesi: Izraeli përdor fosfor të bardhë për të djegur territorin në jug të Libanit

Kur predha e artilerisë 155 mm e serisë M825 shpërthen në ajër, duke shpërndarë përmbajtjen e saj me fosfor të bardhë, ajo lë pas një re karakteristike në formë nyjeje. Kështu studiuesit e Human Rights Watch (HRW) thanë se arritën të verifikojnë se Izraeli po e përdor sërish këtë armë të njohur, duke ringjallur akuzat se po shkel ligjet e luftës, shkruan The Guardian.

Organizata me bazë në Nju Jork tha se kishte verifikuar dhe gjeolokalizuar tetë imazhe që tregojnë municione me fosfor të bardhë që shpërthejnë mbi zona të banuara në qytetin jugor libanez Yohmor, në ditët e para të ofensivës së Izraelit gjatë luftës në Gaza.

Që atëherë, janë publikuar edhe video të tjera që pretendohet se tregojnë shpërthime të fosforit të bardhë mbi jugun e Libanit, dhe studiuesit thonë se, me rreth 800,000 libanezë të zhvendosur nga rajoni pasi forcat izraelite u kërkuan të largoheshin, shumë raste të tjera mund të kenë mbetur të padokumentuara.

Fosfori i bardhë është një substancë kimike që përdoret në predha artilerie, bomba dhe raketa, e cila ndizet në kontakt me oksigjenin, duke arritur temperatura deri në 800°C dhe duke lëshuar sasi të mëdha tymi.

Forcat ushtarake e përdorin atë si perde tymi për të fshehur lëvizjet e trupave, për të shënjuar objektiva ose për të ndriçuar terrenin gjatë natës, dhe juristët ushtarakë argumentojnë se këto përdorime janë plotësisht të ligjshme. Por përdorimi mbi zona civile është i debatueshëm, dhe disa pretendojnë se është i paligjshëm, pasi shkakton zjarre, djegie të rënda dhe lëshon gazra toksikë.

Ahmad Beydoun, arkitekt dhe studiues doktorature në Universitetin Teknik të Delftit në Holandë, ka dokumentuar dhe hartëzuar rreth 250 raste të përdorimit të fosforit të bardhë nga forcat izraelite midis tetorit 2023 dhe nëntorit 2024.

Beydoun, zbuloi se 39% e rasteve ndodhën në zona të banuara, 17% në toka bujqësore dhe 44% në zona pyjore ose të hapura.

“Mendoj se ushtria izraelite e përdor për të djegur fushat për dukshmëri, që njerëzit ose luftëtarët e Hezbollahut të mos fshihen nën pemë,” tha ai.

Sipas një raporti të organizatës libaneze Public Works Studio, fosfori i bardhë është përdorur për të djegur më shumë se 2,000 hektarë të territorit jugor të Libanit, përfshirë 873 hektarë pyje të dendura dhe zona të mëdha me lisa dhe pisha.

Fosfori i bardhë mund të mbetet edhe i fshehur në tokë dhe të ndizet spontanisht kur zbulohet nga fermerët, duke paraqitur një rrezik të vazhdueshëm nëse banorët e jugut të Libanit kthehen në shtëpitë e tyre.

Efektet mund të jenë edhe më të gjera, pasi përdorimi i përsëritur i fosforit të bardhë e ngop tokën me acid fosforik dhe metale të rënda toksike si kadmiumi, plumbi dhe zinku. Kjo, sipas raportit, mund të ulë biodiversitetin mikrobik, të dëmtojë pjellorinë e tokës dhe të reduktojë prodhimin bujqësor.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu