Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se disbursimi i fondeve për qytetarët përfitues të pakos për subvencionimin e pajisjeve efiçiente pritet të përfundojë brenda muajit korrik 2025.
Sipas njoftimit zyrtar, ky proces është në pritje të përmbylljes nga Bashkimi Evropian, pas së cilës Ministria do të ekzekutojë pagesat.
“Bazuar në njoftimin e pranuar nga Bashkimi Evropian, pritet që procedurat për disbursimin e fondeve të përmbyllen deri në muajin korrik 2025 nga ana e tyre, dhe tutje Ministria e Ekonomisë do të ekzekutojë pagesat për qytetarët përfitues të kësaj Pako,” thuhet në njoftim.
Kjo pako u dizajnua që të ju ndihmojë drejtpërdrejt qytetarët, në veçanti ata nga familjet me të ardhura të ulëta dhe grupet e cenueshme.
Mbështetja jepet përmes “subvencionimit të pajisjeve me efiçiencë të lartë të energjisë dhe sistemeve të energjisë së ripërtëritshme në sektorin e amvisërisë.”
Deri më tani, janë përzgjedhur 11,188 përfitues, me një vlerë totale prej 4,987,061 euro, të cilët kanë përmbushur të gjitha kriteret e vendosura dhe janë njoftuar përmes Komisioneve Vlerësuese.
Megjithatë, ende pritet të disbursohen mjetet për 1459 përfitues qytetarë dhe 10 përfitues biznesesh, proces që sipas Ministrisë do të përmbyllet deri në fund të muajit korrik.
Ministria bën të ditur se ka përmbyllur me kohë “të gjitha procedurat administrative dhe teknike në përputhje me Vendimin Nr. 20/145 të Qeverisë së Republikës së Kosovës,” dhe raporti përfundimtar është dorëzuar në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë më 28 shkurt 2025.
Në fund, Ministria e Ekonomisë ka shprehur keqardhje për vonesën që ka ndodhur në disbursimin e mjeteve për një pjesë të përfituesve, duke theksuar se kjo është rezultat i situatës së jashtme që ndikon procesin.