Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se më 5 korrik 2025, Kuvendi i Republikës së Kosovës është përballur me një kërcënim për bombë, i cili është trajtuar me prioritet të lartë nga institucionet e sigurisë.
Sipas të dhënave të siguruara, kërcënimi ka ardhur nga një numër telefoni i regjistruar në Serbi, në pronësi të kompanisë telefonike MTS, ndërsa si përdorues i numrit është identifikuar shtetasi serb Lazar Živković.
Në disa prej profileve të lidhura me këtë numër është hasur edhe fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mladić, duke ngritur dyshime serioze për qëllimet dhe motivet pas këtij akti.
Sveçla ka theksuar se kjo përbën një sulm hibrid ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, dhe se autoritetet janë duke kërkuar mbështetje ndërkombëtare për të sjellë përpara drejtësisë përgjegjësit.
“Sulmuesit dhe kërcënuesit që strehohen në Serbi, pavarësisht mbështetjes shtetërore që mund të kenë, nuk do të arrijnë t’i shmangen përgjegjësisë,” – deklaroi ministri Sveçla.
Hetimet janë në zhvillim e sipër dhe institucionet e sigurisë po punojnë për ndriçimin e plotë të rastit. /INA/