Tahiri: Kosova mundet edhe pa njohjen e Serbisë, Zvicra lulëzoi edhe pa qenë në OKB

Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet Kosovë- Serbi, Edita Tahiri, ka thënë se është kundër çdo ideje që rrezikon shtetësinë e Republikës së Kosovës, përfshirë dhe atë të Presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve.

Edita Tahiri këto deklarime i dha sonte në Zona B derisa shtoi se prekja e kufijve nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë pasi sipas saj shteti i Kosovës mundet edhe pa njohjen e Serbisë por edhe pa qenë e anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

”Jam fuqishëm kundër ideve të rrezikshme dhe atyre që po jep Presidenti Hashim Thaçi për kufijtë. Pse duhet të ndodhë korrigjimi i kufijve kur ne e fituam luftën kundër Serbisë pas 100 vjetësh. Pse ne këtë fitore historike ta vëmë në pikëpyetje, për kënd? – Për armikun që na ka shtypur për 100 vjet? – Jo s’bëhet”.

”Nuk është problem nëse Serbia nuk e njeh Kosovën. Serbia nuk do ta njeh Kosovën se dëshiron ta njeh Kosovën, por mund ta njeh Kosovën nëse detyrohet ta njeh Kosovën. Nëse Serbia do të mbetet pjesë e influensës ruse, ajo nuk e njeh Kosovën”.

Ajo më tej ka thënë se Kosova mund edhe të mos jetë anëtare e OKB-së. Thotë se Zvicra lulëzon edhe pa qenë anëtare e saj.

”Kosova mund edhe të mos jetë anëtare e OKB-së, Zvicra ka lulëzuar si shtet edhe pa qenë fare në OKB. Serbia ka përfunduar njëherë e përgjithmonë. Serbia nuk e ka fuqinë që ta shqetësojë më Kosovën me planet e saj”.

”Serbia e ka njoftuar Bashkimin Europian që s’do të bisedojë më për kufijtë, sepse Gjermania është kundër saj. E kjo është çështje biznesi. Nuk duhet të mendohet ardhmëria e Kosovës e lidhur nëse Serbia dëshiron këtë apo jo”, ka deklaruar Tahiri.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu