Talebanët apel për Biden: Tërhiq trupat amerikane nga Afganistani

Talibanët i kanë bërë thirrje administratës së ardhshme të Shteteve të Bashkuara, e cila do të udhëhiqet nga presidenti i zgjedhur, Joe Biden, që t’i përmbahet marrëveshjes së muajit shkurt për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani, raporton economictimes.

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë filluar tërheqjen e trupave sipas kësaj marrëveshjeje dhe tërheqja e plotë pritet të përfundojë në maj të vitit të ardhshëm, nëse palët u përmbahen premtimeve. Ndërkohë talibanët janë ende duke vazhduar bisedimet e paqes me qeverinë afgane në Doha të Katarit.

“Emirati Islamik i bën thirrje presidentit të zgjedhur amerikan dhe administratës së tij të ardhshme se zbatimi i marrëveshjes është mjeti më i arsyeshëm dhe më efektiv për përfundimin e konfliktit mes dy vendeve tona”, thuhet në deklaratën e grupit militant.

Pavarësisht zhvillimit të bisedimeve për paqe, dhuna në Afganistan nuk është ndalur. Talibanët kanë sulmuar kryeqytetet provinciale, duke nxitur në disa raste edhe reagimin e Shteteve të Bashkuara përmes sulmeve ajrore.

Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kishte premtuar se do t’i jepte fund luftës në Afganistan dhe se trupat amerikane do të tërhiqeshin deri në fund të dhjetorit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu