Aleanca për Shqiptarët çdo ditë e më shumë po rritet, thotë sekretari i partisë Arben Taravari. Duke hedhur poshtë pretendimet se në këtë parti ka përçarje.
Ai pranon se ka mos-pajtime në disa degë të qyteteve të kësaj partie, mirëpo sipas tij, ana e pakënaqur nuk e dëmton partinë.
“Faktikisht familja Aleanca për Shqiptarët gjithë një e më shumë po rritet, pakënaqësi të vogla normalisht ka në të gjitha qytetet, shumë më shumë kemi ardhje sesa njerëz që nuk u pëlqen këtu, shkojnë diku tjetër por nuk kemi ndonje dëmtim partiak. Pakënaqësi ka pasur dhe do të ketë në çdo parti por kjo nuk krijon telashe për Aleancën për Shqiptarët”, tha Arben Taravari, sekretar i ASH.
Një ditë më parë, anëtari i partisë nga dega e Shkupit Naim Bajrami, reagoi në profilin e tij në Facebook, duke pohuar se dikush ka dashur që ai të jetë në krye të degës si më i përshtatshmi derisa të tjerë nuk duan që ai të mbetet në kryesi të partisë. Ai po mendon seriozisht të largohet nga të gjitha strukturat partiake.
Kongresi i Aleanca për Shqiptaret pritet të mbahet më 11 mars, ndërkohë që partia ka shpeshtuar takimet me qytetarët dhe me strukturat partiake. /albeu










