Drejtori aktual i Klinikës së Neurologjisë, Fatmir Mexhiti, në të njëjtën kohë që ka qenë në krye të kësaj institucioni publik shëndetësor, ka qenë edhe bashkëpunëtor me honorar i Ministrisë së Shëndetësisë – pikërisht institucionit që e kishte emëruar drejtor – dhe paga mujore e tij ka qenë 60 mijë denarë, tregojnë dokumentet me të cilat disponon “Sloboden Pechat”.
Nga marrëveshja nuk mund të kuptohet qartë se çfarë pune ka kryer Mexhiti për këtë honorar, por kuptohet se detyrat për Ministrinë e Shëndetësisë është dashur t’i kryente çdo ditë. Të dhënat nga platforma “financat e hapura” tregojnë se paratë nga Ministria i janë transferuar çdo muaj, në vlerë prej 1.000 eurosh, deri në dhjetor të vitit 2024.
Marrëveshja për punë e lidhur mes Mexhitit dhe Ministrisë së Shëndetësisë ka zgjatur nga 8 korriku 2024 deri më 31 dhjetor 2024. Gjatë kësaj periudhe ai ka pasur detyra që është dashur t’i realizonte për Ministrinë çdo ditë, edhe pse njëkohësisht ka pasur obligime ditore edhe në Klinikën e Neurologjisë, ku ka qenë dhe vazhdon të jetë drejtor.
Kontrata është lidhur menjëherë pasi ministër i Shëndetësisë u bë Arben Taravari, bashkëpartiak dhe mik personal i Mexhitit. Gjatë periudhës kur Taravari ishte ministër, të paktën dy persona të afërt familjarisht me Fatmir Mexhitin kanë lidhur gjithashtu kontrata me Ministrinë e Shëndetësisë për të kryer detyra të caktuara me kohë të përcaktuar, tregojnë dokumentet me të cilat disponojmë.