Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka ngritur alarmin për ndikimin e shtuar serb dhe afrimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut me Hungarinë, që sipas tij e kanë larguar vendin nga rruga drejt Bashkimit Europian.
Taravari tha se gjatë kohës sa ishte në qeveri, kishte dëgjuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë kritika të ashpra se qeveria po largohej nga kursi europian dhe po afrohej me vende që nuk janë model i demokracisë.
“Plot përfaqësues ndërkombëtarë na kanë thënë se nuk po shkojmë drejt BE-së. Më shumë po afrohemi me Hungarinë, e cila nuk është model i preferuar në Bashkimin Europian. Na thanë qartë: Serbia ka ndikim të jashtëzakonshëm,” tha Taravari.
Ai zbuloi gjithashtu se kishte pasur takime edhe me zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, të cilët ishin të shqetësuar për faktin që qeveria po e humbte fokusin tek integrimi europian.
“Na kanë thënë që duhet të insistoni më shumë, duhet të bëni presion për reformat. Sepse ne si faktor politik shqiptar duhet të jemi garanci për kursin europian, por realisht nuk kishim më fuqi ta bënim këtë,” shtoi Taravari.
Si shembull konkret, ai përmendi çështjen e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në administratë, të cilin kryeministri Mickoski e kishte premtuar, por nuk e solli për muaj të tërë.
“Në institucionet shtetërore, përfaqësimi i shqiptarëve në punësime të reja nuk është as 5%. Kjo është shumë larg nga balanca që duhet të kishim dhe tregon që shqiptarët u margjinalizuan,” theksoi Taravari.
Në fund, ai u shpreh se Maqedonia e Veriut është shumë më larg Bashkimit Europian sot sesa ishte para një viti, dhe se faktorët shqiptarë duhet të kishin bërë më shumë për ta parandaluar këtë rrëshqitje.