Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka treguar në një intervistë detaje të panjohura nga bisedat me kryeministrin aktual të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, përpara vendimit për t’u tërhequr nga qeveria.
Sipas Taravarit, Mickoski kishte frikë se një bashkëpunim mes tij dhe Ali Ahmetit për zgjedhjet lokale do t’i “defaktorizonte maqedonasit” në Maqedoninë Perëndimore dhe e kishte përdorur edhe shprehjen fyese “kaur” që vetë Taravari e denoncoi publikisht.
“Në një takim, kur i tregova që kam opsion të negocioj me Ali Ahmetin për kandidaturat në zgjedhjet lokale, më tha: ‘Arben, e kuptoj këtë si përpjekje për të defaktorizuar maqedonasit në Maqedoninë Perëndimore’. E pyeta: ‘Si mendon defaktorizimin e maqedonasve?’ Ai më tha se nëse bashkohemi, fitohen krejt komunat pa asnjë votë maqedonase. Unë ia ktheva: përkundrazi, ne kërkojmë vota prej të gjithëve, maqedonas, turq, romë,” – rrëfeu Taravari.
Ai e quajti këtë qasje të Mickoskit si një “kompleks” të reflektuar, duke thënë se kur përdor fjalën “kaur” ose flet për defaktorizim të maqedonasve, realisht ka frikë nga defaktorizimi i shqiptarëve.
“Ka në psikologji një term që quhet reflektim ose pasqyrim: një njeri kur thotë ‘kaur’, ai në mendjen e vet mendon shqiptar. Kështu e kuptoj unë, ndryshe s’ka shpjegim. Raportet i kemi pasur të mira, por duket se ai kishte këtë frikë,” – tha Taravari.
Sipas tij, ky mentalitet shkon përtej një gare elektorale, duke e kthyer rivalitetin politik në një përpjekje për të marginalizuar shqiptarët nga institucionet lokale.