Taravarin po e “braktisin” të vetët – Maksuti e kritikon ashpër: Absurditet dalja yte nga VLENi

Profesori universitar dhe intelektuali , Mersim Maskuti, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike në kuadër të koalicionit VLEN, duke vlerësuar se dalja e krahut të Taravarit të Aleancës për Shqiptarët nga ky koalicion është një akt që dëmton demokracinë, interesin kombëtar të shqiptarëve dhe interesin publik në përgjithësi.

Sipas Maskutit, Aleanca për Shqiptarët – krahu i Taravarit – duhej të kishte vazhduar veprimtarinë e saj politike brenda VLEN-it me qasje konsekuente dhe sistematike, duke ndjekur misionin dhe premtimet që i kishte dhënë votuesve shqiptarë, të cilët, siç thekson ai, për vite të tëra kanë sakrifikuar për të mbajtur gjallë shpirtin opozitar.

“Duhej bërë përpjekje për të bashkëqeverisur mes kundërshtive, për të avansuar të drejtat kolektive të shqiptarëve ose të paktën për të ruajtur atë që është arritur deri më tani. Fatkeqësisht, po shohim fillimin e një procesi degradimi, siç ka ndodhur shpesh në historinë tonë kushtetuese,”, deklaron Maskuti.

Ai e konsideron shqetësues fenomenin e ndryshimeve të shpeshta dhe të pajustifikuara të koalicioneve politike në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar si “sëmundje të demokracisë” dhe “trishtim publik”.

“Në demokracinë tonë në RMV, këto metoda të alternimit (ndërrimit) të koalicionimeve partiako-politike non-sense e të shpeshta pa u mbështetur në parime, programe dhe në vullnetin shumicë të votuesve shqiptarë paraqesin një fenomen ekscentrik e shqetësues në qeverisjen tonë dhe hyjnë në kategorinë e trishtimit publik dhe sëmundjen e demokracisë. Nga ana tjetër BDI duhet të luaj rolin e konstruktiv opozitar siç e ka nisur dhe ardhjen e saj ne pushtet ta parashikoj vetëm nëpërmjet paraqitjes së alternativave qeverisëse më të mira dhe jo nëpërmjet metodës perfide divide et impera/perçaj e sundo, që shpesh në të kaluarën e ushtronte me sukses.
Këtë qasje opinioniste e bëj në cilësinë e një profesori universitar dhe të njeriut të lirë, madje duke theksuar qartë dhe kategorikisht se nuk i përkasë asnjë provenience partiako-politike.
Kontributin tim do ta jap si çdoherë si një intelektual i pavarur në vijë të afirmimit dhe mbrojtjes së kauzave kombëtare dhe avokat i mbrojtjes së interesit publik”, përfundon Maksuti./ZYRTARE.net


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu