Targat, paralajmërim nga Beogradi: Ushtria serbe, gati!

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç tha se ushtria serbe është e aftë dhe e gatshme për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave, duke mbrojtur serbët në Kosovë.

“Sigurisht që askush nuk dëshiron luftëra, por Serbia është një vend serioz dhe i ndërmerr të gjitha hapat që të jetë në gjendje t’i përgjigjet çdo sfide dhe problemi të mundshëm”, ka thënë Vuçeviç për edicionin e sotëm të Telegrafit serb, një ditë para se në Kosovë të hyjë faza e dytë për targat, ajo e gjobave.

Ai ka përsëritur se Serbia është e hapur për dialog, por se “është vërtetuar shumë herë” se “nuk mund të jesh kurrë i pastër” me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

“As bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht vendet e Quinte-it nuk kanë asnjë ndikim tek ai (Kurti). “Ne nuk duam përshkallëzim të konfliktit, por nuk heqim dorë nga njerëzit tanë”, theksoi Vuçeviç, duke bërë atë që serbët e kanë mjeshtëri historike: nga persekutorë të shfaqen në viktima.

Afati për riregjistrimin e automjeteve në targa RKS skadon në mesnatë dhe diplomacia perëndimore është në ethe për t’i dhënë një zgjidhje për shmangien e tensioneve.

Që nga fillimi i muajit janë dhënë mbi 1500 paralajmërime për pronarët e automjeteve me targa të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe afati i caktuar nga Qeveria e Kosovës skadon sot në mesnatë, pas së cilës të gjithë ata që automjetet me targa RKS nuk janë të ri-regjistruara do të gjobiten me 150 euro.

Siç thuhet nga Policia e Kosovës, “që nga fillimi i procesit deri të premten (17 nëntor), targat RKS janë marrë nga 26 vozitës”.

“Vetura e fundit është riregjistruar këtë të dielë në rajonin e Mitrovicës dhe janë dhënë gjithsej 1592 paralajmërime”, ka thënë policia.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, nga 21 nëntori, pronarët e veturave që nuk kanë ndërruar targat do të gjobiten me 150 euro.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar vazhdimisht nga Kosova shtyrjen e obligimit të ri-regjistrimit për dhjetë muaj, por Qeveria e Kosovës nuk i është bindur deri më tani as Brukselit e as Uashingtonit.

Kurti: Asnjë nga veprimet tona nuk i ka habitur SHBA-të

Gazetarët së fundmi e kanë pyetur kryeministrin Kurti nëse janë prishur marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në dhe BE-në, e ai tha se asnjë nga veprimet e qeverisë që ai drejton nuk e ka befasuar Amerikën apo BE-në.

“Asnjë nga veprimet tona nuk befasoi asnjë zyrtar amerikan apo europian, ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta. Ne kemi si miq dhe partnerë SHBA-në, ndaj miqtë dhe partnerët nuk i shkruajnë deklaratat që janë cituar. Nuk ka një raport të tillë, natyrisht, është një fyerje për SHBA-në që është një vend demokratik. Partneriteti ynë me ta, aleanca jonë me ta është një aleancë e bazuar në vlera dhe synime me interesa të përbashkëta. E kemi shtyrë vendimin një herë, për një muaj dhe jemi marrë vesh që të jetë shtyrja e fundit”, tha Kurti.

Ai shtoi se dy herë në javë takohet me ambasadorët amerikanë dhe të BE-së.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu