A do të anëtarësohet Shqipëria në BE brenda 2025? Ja përgjigjia e Mogherinit…

Zv. Presidentja e Komisionit Europian Federica Mogherini tha se në strategjinë e prezantuar sot, ka një parashikim kohor, deri në vitin 2025, që nuk është një afat fundor, as një objektiv dhe nuk përcakton kohën në një mënyrë përfundimtare sepse gjithçka varet nga cilësia e procesit dhe rezultatet e arritura.

“Është e qartë se ky parashikim për vitin 2025, nuk është vetëm për një ose dy vende, as për vendet që janë aktualisht duke negociuar, por është një parashikim për të gjithë vendet që do të nisin negociatat në muajt e ardhshëm. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe për shqiptarët që të dinë se ky parashikim kohor është për të gjithë”, tha Mogherini në një intervistë ekskluzive për Oranews.

E pyetur nëse brenda BE-së ka vende që kanë rezerva ndaj Shqipërisë lidhur me krimin, korrupsionin trafikun e drogës, Mogherini tha se është bërë shumë punë për këtë fushë dhe mendoj se lidershipi, kryeministri në veçanti, parlamenti, qeveria janë të vetëdijshëm që duhet të punojnë mbi këtë çështje.

“Më lejoni të theksoj se nuk është Bashkimi Europian që e kërkon këtë por shoqëria shqiptare për fuqizimin dhe rimëkëmbjen e vendit për qytetarët e Shqipërisë që kërkojnë të kryhen këto reforma. Progresi është bërë, trendi është pozitiv dhe ne shohim se bashkëpunimi me shtetet anëtare për këtë çështje është pozitiv dhe inkurajues dhe shoh se ka një mirëkuptim për këtë.

Natyrisht kjo duhet të konsoliduar, duhet të vazhdojë por nuk ka dyshim se trendi është pozitiv dhe se kjo është një rrugë shumë inkurajuese. Puna duhet të vazhdojë dhe më e rëndësishme se çdo gjë tjetër, kjo punë duhet të vazhdojë dhe ne jemi gati ta mbështesim këtë punë, sepse mendoj se koha e konceptit të të bërit të detyrave të shtëpisë mendoj se ka përfunduar, që ne në Bruksel kërkojmë gjëra, japim detyra shtëpie dhe presim që të realizohen, jo! Koncepti, edhe në këtë strategji është terësisht i ndryshëm.

Ne vendosim një qëllim për vete që është integrimi në Bashkimin Europian, anëtarësimi në Bashkimin Europian, vendosim një kornizë pragmatiste dhe realiste, vendosim se çfarë na duhet të bëjmë dhe e bëjmë këtë së bashku si një qëllim të përbashkët, punë të përbashkët dhe besoj se do të kemi një arritje të përbashkët mbi këtë”, tha Mogherini.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu