Të arrestuarit nga Specialja dërgohen në Hagë

Ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës Isni Kilaj dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Fazliu janë dërguar për në Hagë nga zyrat e EULEX-it në Kosovë. Aty janë mbajtur nga dita e djeshme kur edhe janë arrestuar. Pa dhënë detaje, Prokuroria e Hagës ka thënë ditë më parë se operacioni ka të bëjë me vepra kundër administrimit të drejtësisë. Operacioni i Speciales është kritikuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së duke thënë se ish-pjesëtarët e UÇK-së nuk kanë ndërhyrë në procese të drejtësisë. Sipas OVL-UÇK-së Specialja po bën spektakël me arrestime të tilla. Ndërkohë djali i Fadil Fazliut tha para gazetarëve se nuk ka mundur ta takojë babanë e tij mbrëmë e as sot, pavarësisht përpjekjeve.

“Kërkoj lirimin sa me të shpejtë për të gjithë çlirimtarët e Kosovës…Unë isha dje dy herë, dy herë sot, nuk munda asnjëherë ta takoj. Po mendoj që tash e pash nga larg dhe të paktën me dorë ia bëra deri në vizitën e ardhshme, që do jetë besoj në Hagë…Prindi jem besoj e ka një moral të fortë, një karakter të fortë sepse ka përjetuar edhe diçka më shumë. Iu kanë vrarë dy vëllezër njeri 89’ Fahri Fazliu me Afrim Zhitinë dhe Bahri Fazliu në 98’. Fadili, babai im ka qenë i burgosur politik, pjesë e UÇK-së në zonën e Llapit. Besoj se këtë sfidë do ta kalojë siç i ka kaluar edhe të tjerat”, deklaroi Fahri Fazliu, Djali i Fadil Fazliut. /Alsat.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu